Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu ka thënë se ka dëgjuar audio-incizimet e “neveritshme”, në të cilat supozohet se dëgjohet vrasja e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi nga agjentët e Arabisë Saudite në konsullatën e këtij shteti në Stamboll.
Cavusoglu deklaroi për të përditshmen gjermane “Sueddeutsche Zeitung”: “E kam dëgjuar. Ai është vrarë brenda shtatë minutave. Ka qenë vrasje e qëllimshme”. Ministri turk theksoi të ketë dëgjuar mjekun e forenzikës duke udhëzuar të tjerët që të dëgjojnë muzikë derisa ai i ka copëtuar trupin.
Cavusoglu u shpreh: “Njëri dëgjohet se është duke e shijuar atë, ka dëshirë të copëtojë trupat. Është e neveritshme”. Turqia ka thënë se Khashoggi, gazetar i “Washington Post” është vrarë muajin e kaluar nga një ekip prej 15 personave që janë dërguar nga Riadi. Ankaraja insiston se urdhri për vrasjen e gazetarit saudit ka ardhur nga nivelet më të larta të qeverisë saudite, por jo nga Mbreti Salman.