Skuadra e Shkupit ka disa ditë që është lëshuar në pushim të merituar, ndërsa i njëjti do të zgjasë deri më 5 janar, kur ekipi do të ketë grumbullimin e parë për sezonin pranveror. Kujtojmë, skuadra këtë gjysmësezon nuk i ka arritur rezultatet e dëshiruara, dhe me gjithsejtë 16 pikë, mban pozitën e shtatë në renditjen tabelore, duke rrezikuar kështu edhe mbijetesën në elitën e futbollit vendor. Ndryshe, sipas zëdhënësit të klubit Hajrush Mani, ditëve në vijim do të vendoset se a do të mbetet apo jo Ardian Nuhiu trajner i skuadrës bardhekaltër. “Ditëve në vijim kryesia do të merr vendim lidhur me pozitën e trajnerit, ku pas largimit të Visar Ganiut, detyrën e trajnerit e ushtroi Ardian Nuhiu. Sa i përket skuadrës, lojtarët gjenden në pushim, ndërsa pas përfundimit të sezonit kryesia e klubit në takimin që kishte, ka sjellë vendim që klubi të grumbullohet me 5 janar, kur edhe ekipi do të fillojë me përgatitjet për sezonin pranveror. Përgatitjet do të zhvillohen në tri faza, duke filluar me përgatitjet bazë në Shkup, që do të zgjasin deri më 14 janar, ndërsa një ditë më vonë skuadra pritet që të udhëtojë në një nga qendrat përgatitore në Ohër, Dojran apo në ndonjë qendër tjetër jashtë vendit”, u shpreh Mani. Sipas tij nga ekipi është larguar lojtari francez Lambin. “Skuadra tani më është liruar vetëm nga shërbimet e sulmuesit francez, Khalil Lambin, ndërsa tani më kryesia ka filluar të bëjë edhe përpjekje për të sjellë përforcime, ku në veçanti jemi koncentruar të përforcojmë sulmin dhe repartin e mbrojtjes, por duke mos përjashtuar edhe anët e krahut, ku do të donim që të shtojmë konkurrencën në ekip”, përfundoi zëdhënësi i FC Shkupi Hajrush Mani. (koha.mk)