Khabib Nurmagomedov, kampioni i botës në peshën e lehtë në artet marciale mikse ka zbuluar planin e tij të madh: Të përfshijë sportin e MMA-së në Lojërat Olimpike, duke nisur nga edicioni 2028, që zhvillohet në Los Anxhelos.
“Në të ardhmen do të bëj mjaft takime për të diskutuar për këtë objektiv. Do të takohem edhe me presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Unë mendoj se është e pamundur që ta realizojmë këtë gjë në Olimpiadën e vitit 2024 në Paris, por në atë të vitit 2028, në Los Anxhelos, mund ta realizojmë”, tha Khabib.
“Ky është një shans i mirë për ta promovuar MMA-në”, tha Khabib, 29 fitore e 0 humbje në kafaz në karrierën e tij. Gjithsesi, ai pranon se brutaliteti i këtij sporti, që shpesh përfundon me gjak, do ta pengojë këtë nismë.
“I vetmi problem është brutaliteti që ka ky sport dhe kjo gjë nuk inkurajohet nga Olimpizmi. Ata nuk duan të shohin gjak. Ndërsa për sa i përket interesimit që ka sporti ynë, mendoj se MMA mund të hyjë në sportet olimpike, pasi ka shumë sponsora që na mbështesin, ashtu si në futboll”, tha Khabib Nurmagomedov.