Një javë nga dueli i madh i titullit kampion në peshën e lehtë ndaj Conor McGregor, kampioni i botës në fuqi në këtë Divizion, rusi Khabib Nurmagomedov, ka postuar një video nga stërvitja e tij. Rusi, 26 fitore e asnjë humbje në karrierën e tij në kafaz, duket në formë të shkëlqyer dhe gati për t’u ngjitur në kafaz, për të ruajtur pathyeshmërinë. Dy sportistët ikonë të arteve marciale mikse do të duelojnë në Las Vegas në eventin UFC-229, që pritet të thyejë të gjitha rekordet në këtë sport.
Khabib ka publikuar një video nga stërvitja e tij, në palestrën AKA (American Kickboxing Academy), ku duket se ndjek më vëmendje dhe praktikon çdo këshillë të trajnerit të tij Javier Mendez. Ndërkohë që, në stërvitje është edhe Luke Rockhold, ish-kampioni i botës në peshën e mesme, që ndan kafazin me rusin dhe praktikohen së bashku. “The Eagle”, siç është edhe nofka e Nurmagomedov, duket gati për t’u përballur me “famëkeqin” McGregor, një duel me 5 raunde që parashikohet i jashtëzakonshëm.