KGJA: Nuk është zhdukur asnjë foshnjë, rasti është denoncuar në polici

Shkup, 4 shkurt  – Klinika për Gjinekologji dhe Akusheri përgënjeshtron se ka pasur foshnjë të zhdukur siç publikuan dje një pjesë e mediave duke e transmetuar deklaratën e babait të foshnjës.

“Nuk është e vërtetë deklarata e dhënë se “foshnja është zhdukur”, por se nëna e cila si e operuar akoma është në trajtim intensiv dhe se dokumentet janë atje”, kumtoi KGJA për rastin për të cilin mbrëmë u prononcua edhe Ministria e Shëndetësisë me paralajmërimin se do ta hetojë.

Nga Klinika, midis tjerash, informojnë se babai i foshnjës është sjellë në mënyrë agresive dhe me ofendime drejt personelit mjekësor dhe se Drejtoria e tyre rastin e ka denoncuar në polici.

“Rasti është denoncuar në polici dhe do të ketë epilog gjyqësor ashtu siç ndodh kur prishet qetësia dhe rendi publik, gjatë sulmit dhe ofendimit të personave zyrtarë”, qëndron në përgënjeshtrim.