Misioni ushtarak ndërkombëtar në Kosovë, KFOR, ka shtuar praninë dhe patrullimet në veri të Kosovës, në pikat kufitare me Serbinë, Jarinjen dhe Bërnjakun, me qëllim të përforcohet vetëdijesimi për situatën, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Në një përgjigje me shkrim nga zyra për marrëdhënie me publikun e KFOR-it, dërguar portalit në gjuhën serbe “Kosovo onlajn”, thuhet se janë marrë masat me qëllim që KFOR-it t’i mundësohet reagimi i shpejtë ndaj të gjitha sfidave të sigurisë.
“Dëshirojmë t’i sigurojmë të gjithë se KFOR-i është i gatshëm të ndërhyjë nëse është e nevojshme, thuhet në përgjigjen e pyetjes së portalit lidhur me rritjen e ndjeshme të pranisë së KFOR-it në kufi dhe ardhjen e dy xhipave të Forcave të Sigurisë së Kosovës në vendkalimin Jarinje.
KFOR-i gjithashtu thekson se mandati i tij, që rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, është të sigurojë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë.
“Për të kryer detyrat e veta, KFOR-i mban një pozicion të dukshëm dhe të lëvizshëm në terren, thuhet në shërbimin për shtyp të misionit.
Aktiviteti i KFOR-it në kufirin Kosovë-Serbi zhvillohet në prag të 1 shtatorit, kur duhet të fillohet të zbatohen vendimet e autoriteteve të Kosovës për zëvendësimin e targave të Serbisë me targa të Kosovës dhe për reciprocitet me Serbinë në aspektin e dokumenteve të udhëtimit gjatë hyrjes së qytetarëve nga një në vendin tjetër.
Vendimet është dashur të fillojnë të zbatohen më 1 gusht, por Qeveria e Albin Kurtit, me kërkesë të diplomatëve perëndimorë, në radhë të parë të ambasadorit amerikan në Prishtinë, Xheg Hovenier, i ka shtyrë për një muaj, pasi më 31 korrik nga serbët e Kosovës u organizuan protesta dhe bllokime të rrugëve në afërsi të kufirit me Serbinë.