Shkup, 5 maj – Komisioni për Ankesa pranë Federatës së futbolli të Maqedonisë ka pranuar pjesërisht ankesën e KF Shkëndija ndaj vendimit të Komisionit Disiplinor të FFM-së për dënimin e shqiptuar pas ngjarjeve në takimin e kthimit të gjysmëfinales së Kupës së Maqedonisë ndërmjet Shkëndijës dhe Vardarit e luajtur më 19 prill në Tetovë, bëjnë të ditur nga klubi kuqezi. Shkëndija u dënua me zhvillimin e gjashtë ndeshjeve si vendas pa praninë e publikut dhe gjobë në të holla në vlerë prej 1 200 euro. Ankesa e Shkëndijës miratohet pjesërisht, kështu që dënimi ulet në katër ndeshje pa praninë e publikut, ndërsa mbetet e njëjtë gjoba në të holla. Kështu, Shkëndija deri në fund të sezonit do të vazhdojë të luajë si vendase pa praninë e publikut, pasi kanë mbetur edhe tre takime si vendas (kundër Bregallnicës, Rabotniçkit dhe Pelisterit), ndërsa veç më ka filluar të vuajë dënimin nga xhiroja e 29-të kur në Tetovë pa shikues u luajt takimi me Vardarin i fituar 3:1. Ulja e dënimit nënkupton se në sezonin e ri garues 2017/2018 “kuqezinjtë” do të mund të startojnë pa ndëshkim dhe spektatorët do të mund të jenë të pranishëm në tribuna.