Sedat Berisha, tani më futbollisti i ri i KF Vllaznia, ka folur për përshtypjet e tij të para te klubi shkodran. Në një intervistë për “Shkodra.News”, Berisha tregon se ka pasur shumë oferta nga Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova, por në fund vendosi të zgjidhte ofertën e shkodranëve. Për këtë ka ndikuar edhe ish-mesfushori i Vllaznisë, Edon Hasani.
“Këtu më solli pesha që bart ky emër, historia, qyteti dhe tifozeria që meritojnë të jenë në kreun e futbollit shqiptar. Tani që gjithçka është mbyllur po e them se kam pasur më shumë oferta si nga Maqedonia, ashtu edhe nga Shqipëria dhe Kosova. Por, kam miq të afërt me të cilët konsultohem ngushtë dhe pasi kemi analizuar mirë gjërat arritëm në përfundim për të pranuar ofertën që erdhi nga Shkodra. Përveç njerëzve më të afërt me të cilët kam diskutuar vendimet edhe në të kaluarën, mund të shtoj se për të ardhur te Vllaznia ndikoi edhe menaxheri Nafo Rexhepi qe na lidhi direkt me njerëzit e klubit, por edhe ish-lojtari i Vllaznisë, Edon Hasani, që do të luajë në kampionatin Iranian”, shprehet fillimisht mbrojtësi shkupjan.
Ai beson se pjesa e mbetur e sezonit do të jetë ndryshe për skuadrën e tij të re. “Sigurisht që e di situatën momentale të skuadrës dhe jam këtu duke besuar se mund të ndryshojmë gjërat. Vllaznia nuk meriton të luftojë për mbijetesë, pasi vendin e ka më lartë. Normalisht, gjërat kanë shkuar si kanë shkuar dhe tani duhet të shohim përpara për t’u përmirësuar. Për këtë edhe jam unë këtu, ndërsa prurje me peshë është ajo e Sukajt që ekipit do t’i jap shumë në fazën sulmuese. Besoj në grupin që kemi dhe punën e stafit teknik. Bashkërisht besoj se do jemi në gjendje të realizojmë objektivat e drejtuesve”, shtoi më tej ish-mbrojtësi i FC Shkupi.
Në fund Berisha ka edhe një premtim për tifozët shkodran. “Nuk më pëlqen të flas shumë në media, pasi puna ime është të flas në fushë. Nuk e di si do të shkojë sezoni, por mund të them me siguri se do të jap më shumë se 100 për qind në çdo ndeshje dhe seancë stërvitore. Nëse të gjithë do të respektojmë këtë fanellë me peshë, nuk dyshoj se tifozëve do t’u mundësojmë arsye gëzimi”, përfundoi Sedat Berisha. 28-vjeçari vjen nga ekipi i Shkupit, ku në 6 muajt e fundit ka luajtur 16 ndeshje në kampionat dhe 4 në kupë. Por, më herët, ai ka qenë edhe pjesë e ekipeve të tjera si: Shkëndija, Bursaspor dhe Al Jahra.