Shqiptarët ishin Europianë kur nuk kishte as parti politike, prandaj këto të fundit e kanë për obligim t’ua rikthejnë shqiptarëve Europën e grabitur nga hajnat e identiteteve kulturore
Nga Emin AZEMII
Në Shkup kishte Europë para se të formohet Bashkimi Europian. Fisnikët katolikë të Shkupit, në fillim të shekullit të kaluar organizuan jetë kulturore me ballo e shfaqje teatrore, që s’kishin asgjë mangut nga ato që organizoheshin në Vjenë, Paris, Romë e gjetiu. Teatri, bandat muzikore, klubet kulturore, shkollat, ishin ndër oazat e para kulturore e emancipuese në mbarë hapësirën shqiptare dhe që nga Shkupi rrezatonin një rizgjim kombëtar me primesa civilizuese europiane. Pastaj do të vijnë luftërat shkatërruese ballkanike e botërore dhe do të ndërpresin dhunshëm këtë kontinuitet zhvillimi, duke imponuar pastaj një kulturë tjetër, që ishte jo vetëm zëvendësim i asaj pararendëses, por edhe zvetënim i qëllimshëm i kodit të saj civilizues. Barbaria sllave e ardhur nga sallonet e Karagjorgjeviqëve bëri një ofensivë të programuar dekulturimi të këtyre hapësirave, duke dëbuar nga qendra e Shkupit kujtesën shqiptare dhe duke zëvendësuar atë me stilin e shpifur të një farë baroku klandestin. Shkupi përjetoi transformime të mëdha, por ajo që ndodhi me zhvendosjen e kulturës shqiptare nga qendra e këtij qyTeti, është shpërfytyrimi më i madh që i është bërë atij.
Gjuha, arsimi, kënga, teatri, baleti, kostumet, mënyra e jetesës, ishte alfabeti shpirtëror i shqiptarëve, kurse katolikët shqiptarë të Shkupit i dhanë kuptim qenësisë kombëtare duke e integruar këtë alfabet në sfondin e përgjithshëm të civilizimit perëndimor, atje ku shqiptarët bënin pjesë dhe për rrjedhojë del e pakontestueshme lidhshmëria e familjeve katolike shqiptare të Shkupit me përpjekjet për zhvillimin e arsimit shqip në Shkup dhe me rizgjimin kulturor e shpirtëror të shqiptarëve. Kjo kauzë emancipuese-kulturore e këtyre familjeve shquhet përmes një galerie personazhesh mjaft të spikatur që kishin vepruar në Shkup, sikundër ishin Kolë Bojaxhiu, Dom Ndue Bytyçi, Lorenc Antoni, Dom Gaspër Gjini, Vingjenc Gjini e ndonjë tjetër.
Politika asimiluese sllave nuk kishte problem gjithaq të madh me shqiptarët muslimanë, sepse ata përmes një marrëveshjeje famëkeqe arriti t’i deportojë në shkretëtirat e Anadollit. Kjo politikë problem më të madh kishte me katolikët shqiptarë të Shkupit, sidomos me problemin që vinte nga vetëdija kombëtare që injektonte ky komunitet me aktivitete kulturore e arsimore, që ishin shumë europiane në thelb dhe aspak ortodokso-lindore. Se ky ishte vërtetë problem i madh, dëshmon edhe përpjekja aktuale për të bërë diversion mbi Kishën Katolike të Shkupit, duke emëruar në krye të saj një maqedonas katolik i ritit bizantin.
Në Maqedoni ekzistojnë dy institucione kishtare (dioqeza) edhe atë: për katolikët e liturgjisë romake, arqipeshkvia e Shkupit dhe për katolikët e liturgjisë bizantine-sllave, Peshkopia Apostull, me seli në Strumicë. Dy institucionet kishtare: arqipeshkvia e Shkupit dhe Peshkopia Apostull në Maqedoni prej vitit 2005 janë nën udhëheqjen e ipeshkvit të Shkupit dhe Peshkopia Apostull në Maqedoni, dr. Kiro Stojanov. Arqipeshkvia e Shkupit, nën juridiksionin e të cilëve janë besimtarët e liturgjisë perëndimore gjegjësisht romake është një prej arqipeshkive më të vjetra në Ballkan e cila fillon në vazhdimësi prej themelimit të saj.
Mirëpo ajo çka ndodhë aktualisht me Kishën katolike të Shkupit, nuk korrespondon me lavdinë shekullore që kishte ky institucion dhe më së paku me kontributin e ipeshkëve shqiptarë, të cilët përpos liturgjisë në gjuhën shqipe kishin kultivuar edhe një lëvizje emancipuese kulturore. Tani në këtë Kishë mesha nuk mbahet në gjuhën shqipe dhe ky është në alarm që duhet të zgjojë jo vetëm Ipeshkvinë e Kosovës dhe autoritet kishtare katolike të Shqipërisë, por edhe institucionet relevante, të cilat me heshtjen e tyre sikur pajtohen me realitetet e dhunshme që mundohen të imponojnë politikat e reja të asimilimit kombëtar.
Shqiptarët ishin Europianë kur nuk kishte as parti politike, prandaj këto të fundit e kanë për obligim t’ua rikthejnë shqiptarëve Europën e grabitur nga hajnat e identiteteve kulturore. (koha.mk)