Këto janë ndryshimet rrënjësore që propozohen për arsimin fillor

MASH ka hequr dorë nga dy anëtarët e deritanishëm në këshillat e shkollave, ndërsa ka larguar edhe kufizimin prej dy mandate radhazi të drejtorëve, me qëllim që t’ju jep shkollave mundësinë të mbajnë më gjatë drejtorët cilësor. Për zgjedhjen e tyre, kryetarët e komunave dhe ministri do të kenë të propozuar nga Këshilli i Shkollës vetëm një kandidat – atë që ka fituar mbështetjen më të madhe nga mësimdhënësit dhe prindërit

Shkup, 13 qershor – Ka mbetur edhe në javë në dispozicion të dhënies së komenteve, sugjerimeve dhe propozimeve publike për hartimin e draft versionit të parë dhe të dytë të Ligjit për arsimin fillor të cilin Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) e ka vendosur në debat publik përmes sistemin qeveritar ENER dhe në ueb faqes së kësaj ministrie. Pra, të gjithë ata që paraprakisht nuk kanë pasur mundësinë të përfshihen në hartimin e Propozim-ligjit, u jepet mundësia të shfaqin pikëpamjet, sugjerimet, propozimet dhe vërejtjet e tyre për ndryshimet që së shpejti do të gjenden para deputetëve.
Gazeta KOHA ju sjell të detajuara disa prej ndryshimeve kryesore të cilat do ta përkufizojnë veprimtarinë arsimore në nivelin e arsimit fillor, nga viti i ardhshëm shkollor. Nëse gjithçka shkon sipas dinamikës së paraparë, shtatori i këtij viti do të na gjej me Ligj të ri në arsimin fillor dhe me Ligj të ri për mësimdhënësit dhe bashkëpunëtorët profesionalë të shkollave fillore dhe të mesme. Sipas draftit të Ligjit për arsim fillor, MASH do të jetë e obliguar të përcaktojë standardet nacionale, të bazuara në kompetenca që nxënësit duhet t’i fitojnë dhe të miratojnë në fund të çdo periudhe të arsimit fillor edhe atë në fushën e shkathtësive (shkrim-leximin) nnga gjuha amtare, mësimi i gjuhëve të tjera, matematika, shkencave natyrore dhe teknologjisë, shkrim-leximit digjital, zhvillimit personal dhe social, kulturës demokratike dhe qytetarisë, sipërmarrjes dhe shprehjes artistike, kulturës dhe multikulturalizmit. Standardet përkatëse do të bëhen me propozimin e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit. MASH gjithashtu është përcaktuar të mos reduktohet numri i ditëve të mësimit. Kjo bëhet në përputhje me rekomandimin e Raportit të OECD-së, analizat e së cilës tregojnë se nxënësit tanë, deri në moshën 14-vjeçare kanë mbi 900 orë mësimore më pak së sa moshatarët e tyre të shteteve anëtare të OECD-së, e që është e barabartë me 1.5 vjet arsim më pak brenda ciklit të shkollimit fillor (bazik). Procesi mësimor do të përcaktohet me Kalendarin mësimor, ku nuk do të lejohet zhvillimi i mësimit ditëve të shtuna. Në situatat e humbjes së ditëve të mësimit për arsye të ndryshme, ditët e humbura do të plotësohen pas 10 qershorit.
MASH, në zgjedhjet e propozuar ligjore nuk ka ndryshuar qëndrimin sa i takon reduktimit të numrit të nxënësve nëpër paralele. Në vend të numrit të tanishëm minimal prej 24 nxënës, si prag minimal përcaktohet numri 20 nxënës, ndërsa pragu maksimal nga aktualisht 34 nxënëses do të jetë 30 nxënës në klasë. Ndërkaq, paralelet e kombinuara nuk do të mund të formohen me më tepër se 10 nxënës në klasë. Përjashtim bëjnë paralelet e lëndëve zgjedhor ku numri i nxënësve nuk mund të jetë më i vogël se 15 nxënës. Synimi është që të stimulohen nxënësit dhe mësimdhënësit që t’i nxisin fëmijët që lirisht të zgjedhin lëndë që janë në interes të tyre. Për nxënësit me aftësi të kufizuara parashihen lloje të ndryshme të mbështetjes përmes angazhimit të asistentë arsimor dhe personal, pajisjeve të teknologjive asistive dhe përshtatjeve tjera. Në këtë drejtim, Propozim ligji parasheh shuarjen e të ashtuquajtura paralele të posaçme. Nga viti shkollor 2022/2023 nuk do të regjistrohen nxënës të ri me aftësi të kufizuara në paralelet speciale, pasi MASH angazhohet që procesi i përfshirjes së plotë të nxënësve me aftësi të kufizuara të zhvillohet në mësimin e rregullt. Për realizimin e të drejtës së arsimit të gjithë nxënësve, propozohet që Ligji të jepet mundësinë e organizimit dhe realizimin e arsimit fillor edhe në institucionet shëndetësore si dhe në kushte shtëpiake për nxënësit që trajtohen më gjatë se tre javë në shtëpi apo në spital.
Në pjesën e obligimeve të Ministrisë, me kërkesë të shoqatave të akredituara të mësimdhënësve që gjatë vitit shkollore t’i mbulojë shpenzimet për pjesëmarrje në gara ndërkombëtare që mbahen jashtë vendit, kemi rritur numrin prej 7 në maksimum 10 nxënës dhe nga një mentor i tyre që do të merr pjesë në ato gara. Në pjesën e vërejtjeve të nënvizuara nga opinioni profesional dhe rekomandimet e Raportit të OECD-së në nuk do të ketë rangimim të shkollave. Është vlerësuar se rritja e pagave të mësimdhënësve të shkollave të ranguara më mirë nuk do të jetë korrekte ndaj mësimdhënësve të mirë shkollave tjera. Në vend të atij modeli, MASH ka zgjedhur sistemin e zhvillimit të karrierës të mësimdhënësve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë. Në drejtim realizimit të interesit të nxënësve në shkollën fillore, ligji parashikon që nxënësit të organizohen në bashkësi të paraleles dhe parlamentit të nxënësve me kompetenca të zgjeruara: pjesëmarrje në përgatitjen e Programit vjetor për punë si dhe në procesin e Evaluimit të shkollës, propozim të aktivitete për programet vjetore për ekskursione, aktivitetet jashtëmësimore apo për përmirësimin e standardit të nxënësve. Do të avancohet gjithashtu edhe mënyra e udhëheqjes dhe menaxhimit me shkollën – në drejtim të reduktimit të ndikimit politik. Këshilli i shkollës do të përbëhet prej shtatë anëtarëve, në vend nëntë anëtarëve, edhe atë: tre përfaqësues nga mësimdhënësit, bashkëpunëtorët profesionalë të shkollës, tre përfaqësues nga prindërit e nxënësve dhe një përfaqësues nga themeluesi. Deri tani themeluesi (komuna) përfaqësohej me dy anëtarë. Sakaq, janë djegur vendet e dy përfaqësuesve të deritanishëm të MASH-it
Ndryshime janë propozuar edhe në zgjedhjen e drejtorëve. Këshilli i shkollës, i propozon kryetarit të komunës respektivisht ministrit nj kandidat, gjegjësisht atë që ka fituar shumicën e votave të anëtarëve të Këshillit të Shkollës në zgjedhjen për drejtor. Pra, kufizohet ndikimi i ministrit/kryetarit të komunës sepse do të kenë vetëm emrin e një kandidati dhe jo të dy kandidatëve si deri tani. Përparësi gjatë zgjedhjes do të kenë mësimdhënësit-mentor dhe mësimdhënësit-këshilltarë dhe gjithashtu largohet kufizimi prej dy mandateve radhazi, me qëllim të dhënies mundësi që shkollat të mbajnë sa më gjatë drejtorët cilësor. Ndryshimet në sferën e arsimit fillor, do vijnë pas Ligjit të ri të arsimit të lartë, që u miratua vitin e kaluar, ndryshimeve konceptuale në arsimin e mesëm sidomos atij të arsimit dual profesional, ndërsa do të pasohet edhe nga Ligji i mësimdhënësve dhe bashkëpunëtorëve profesionist në arsimin fillor dhe të mesëm i cili është publikuar gjithashtu në sistemin elektronik ENER për ku komentuar nga palët e interesit. Para se MASH të dalë me propozim ligjet e reja, sikurse bëjnë të ditur janë marrë në konsideratë rekomandimet e dala nga Analiza e gjendjes së sistemit tonë arsimor e cila u realizua me ndihmën profesionale te OECD -së dhe UNICEF-it. Sepse, dëshirojmë që të gjitha ndryshimet në arsim ti bazojmë në analiza të thella të bëra nga institucione kredibile dhe jo mbi bazën e perceptimeve”, sikurse është shprehur ministri Ademi me rastin e publikimit të Raportit të analizës në fjalë. (koha.mk)