Shkup, 26 shkurt – Frosina Pandurska-Dramikanin e cila ishte e ftuar në emisionin “Pasdite me Alsat” theksoi se procesi për shpalljen e Malit Sharr në park kombëtar është në hapin e fundit.
Ajo sqaroi edhe procesin që duhet të ndiqet deri në shpallje dhe tha se kjo kërkon më e pakta gjashtë muaj deri në një vit kohë që të kalohen të gjitha fazat.
“Që të kemi një park kombëtar duhet të ndodhin disa gjëra nëpër institucione të ndryshme. Së pari Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor. Duhet ta përgatisë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe të kërkojë ose të dërgojë një informatë deri te Qeveria se të gjitha dokumentet janë të përgatitura dhe mali Sharr ka vlerë që të shpallet park kombëtar”, theksoi Pandurska-Dramikanin.
Ajo tha se pas kësaj Qeveria duhet të dërgon procesin në Kuvend dhe procesi duhet të mbaron ose duhet të votohet një ligj për malin Sharr që të bëhet park kombëtar.
“E gjithë procedura nuk mund të ndodhë për një kohë të shkurtër, janë të nevojshme të paktën gjashtë muaj ose një vit që të kalon të gjitha ato hapa por tani jemi në një moment historik ku procesi për shpalljen e malit Sharr park kombëtar është në hapat e fundit pasi ne jemi informuar si platformë se në dhjetor vitin e kaluar studimi për valorizimin e resurseve natyrore të Malit Sharr është kompletuar. Bëhet fjalë për një dokument të gjatë, me të gjitha të dhënat nga ana e ekspertëve me një hartë propozim të bazuar në bazë të hulumtimeve të tyre për specie të ndryshme nëpër resurset natyrore, ku ekspertët propozojnë se ja kështu duhet të jenë kufijtë e ardhshëm të parkut kombëtar në Malin Sharr”, theksoi Pandurska-Dramikanin.
Në bazë të këtij studimi Ministria duhet të vazhdojë procesin dhe të gjitha hapat.
“Mendojmë ne si platformë se dy muaj janë të mjaftueshëm për ministrinë që të ndajë këtë informatë me publikun, dhe mezi presim që të shikojmë këtë studim të gjatë dhe të ndajmë informatat që janë prezantuar aty nga ana e ekspertëve me popullatën vendase dhe me të gjithë stakeholders që i kemi aty partnerë në punën e deritanishme”, tha Pandurska-Dramikanin.(koha.mk)