Qytetarët turq kanë votuar dhe miratuar me një shumicë të ngushtë ndryshimet e 16 neneve të Kushtetutës së vendit, një nismë që u mor pas grushtit të shtetit të vitit që kaloi. Në ndërkohë, shumë spekulime u publikuan se çfarë në të vërtetë do të ndodhë dhe si do të duket Turqia pas Referendumit. Gazeta KOHA kësaj radhe publikon 17 nenet e ndryshimeve kushtetuese e që tashmë janë publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë së Ankarasë dhe të Presidencës turke. Ja si do të jetë Turqia e re pas ndryshimeve kushtetuese:
NENI 9: Pushteti gjyqësor
VERSIONI I TANISHËM: Pushteti gjyqësor ushtrohet nga gjykatat e pavarura në emër të kombit turk.
VERSIONI I PROPOZUAR: Pushteti gjyqësor ushtrohet nga gjykatat e pavarura dhe të paanshme në emër të kombit turk.
NENI 75: Kuvendi i madh kombëtar
VERSIONI I TANISHËM: Kuvendi i madh kombëtar i Turqisë do të përbëhet nga 550 deputetë të zgjedhur me votim të përgjithshëm
VERSIONI I PROPOZUAR: Kuvendi i madh kombëtar i Turqisë do të përbëhet nga 600 deputetë të zgjedhur me votim të përgjithshëm
NENI 76: Zgjedhja e deputetëve
VERSIONI I TANISHËM: Çdo turk mbi moshën 25 vjeçare ka të drejtë të jetë deputet. Personat, të cilët nuk kanë kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, nuk do të zgjidhen si deputetë.
VERSIONI I PROPOZUAR: Çdo turk mbi moshën 18 vjeçare ka të drejtë të jetë deputet. Personat (në kohën e zgjedhjeve) kanë lidhje me shërbimin ushtarak nuk do të zgjidhen si deputetë.
NENI 77: Periudha e zgjedhjeve
VERSIONI I TANISHËM: Zgjedhjet për Kuvendin e madh kombëtar të Turqisë do të mbahen çdo katër vjet.
VERSIONI I PROPOZUAR: Zgjedhjet për Kuvendin e madh kombëtar të Turqisë dhe zgjedhjet presidenciale do të mbahen çdo pesë vjet dhe në të njëjtën ditë.
NENI 87: Detyrat dhe kompetencat e Kuvendit të madh kombëtar të Turqisë
VERSIONI I TANISHËM: Detyrat dhe kompetencat e Kuvendit të madh kombëtar të Turqisë janë të nxjerrë, të ndryshojë dhe të shfuqizojë ligjet; të shqyrtojë Këshillin e ministrave dhe ministrat; të autorizojë Këshillin e ministrave; të nxjerrë dekrete që kanë forcën e ligjit për çështje të caktuara; të debatojë dhe miratojë buxhetin dhe llogaritë përfundimtare; të vendosë për nxjerrjen e monedhave dhe të shpallë luftë; të miratojë ratifikimin e traktateve ndërkombëtare.
VERSIONI I PROPOZUAR: Detyrat dhe kompetencat e Kuvendit të madh kombëtar të Turqisë janë të nxjerrë, të ndryshojë dhe të shfuqizojë ligjet; të debatojë dhe miratojë buxhetin dhe llogaritë përfundimtare; të vendosë për nxjerrjen e monedhave dhe të shpallë luftë; të miratojë ratifikimin e traktateve ndërkombëtare.
NENI 98: Mënyra e marrjes dhe mbikëqyrjes së informacionit nga ana e Kuvendit të madh kombëtar
VERSIONI I TANISHËM: Kuvendi i madh kombëtar i Turqisë do të ushtrojë fuqinë e vet mbikëqyrëse me anë të pyetjes, kërkimit parlamentar, debatit të përgjithshëm, censurimit dhe hetimit parlamentar
VERSIONI I PROPOZUAR: Kuvendi i madh kombëtar i Turqisë do të ushtrojë fuqinë e vet mbikëqyrëse me anë të kërkimit parlamentar, debatit të përgjithshëm, hetimeve parlamentare dhe pyetjeve me shkrim.
NENI 101: Kandidatura dhe zgjedhja e presidentit
VERSIONI I TANISHËM: Presidenti i Republikës do të zgjidhet nga opinioni në mesin e anëtarëve të Kuvendit të madh kombëtar të Turqisë që janë të moshës mbi 40 vjet dhe kanë përfunduar arsimin e lartë, ose nga shtetasit e Turqisë që përmbushin këto kërkesa dhe kanë të drejtë të jenë deputetë.
Nëse presidenti i zgjedhur është anëtarë i ndonjë partie, marrëdhënia e tij/e saj me partinë e tij/e saj do të ndërpritet dhe anëtarësimi i tij/i saj në Kuvendin e madh kombëtar të Turqisë do të pushojë.
VERSIONI I PROPOZUAR: Presidenti i Republikës do të zgjidhet drejtpërdrejtë nga opinioni në mesin e shtetasve të Turqisë që janë të moshës mbi 40 vjeçare dhe kanë përfunduar arsimin e lartë dhe të cilët kanë të drejtë të jenë deputetë. Anëtarësimi i presidentit të zgjedhur në Kuvendin e madh kombëtar të Turqisë do të pushojë.
NENI 104: Ndryshimi kryesor, detyrat dhe kompetencat e presidentit
Presidenti i Republikës është kreu i shtetit. Pushteti ekzekutiv ushtrohet nga presidenti.
Ai/Ajo cakton dhe shkarkon nënkryetarët dhe ministrat.
Ai/Ajo cakton dhe shkarkon drejtuesit e lartë publik, rregullon procedurat dhe parimet e emërimit të tyre me dekret presidencial.
Ai/Ajo përcakton politikën e sigurisë kombëtare dhe merr masat e nevojshme.
Presidenti mund të nxjerrë dekrete në lidhje me fuqinë e vet ekzekutive.
Të drejtat themelore, të drejtat dhe detyrat personale dhe të drejtat dhe detyrat politike që janë në Kushtetutë, nuk mund të rregullohen me dekret presidencial.
Nëse ka dispozita të kundërta mes dekreteve presidenciale dhe ligjeve; ligjet mbizotërojnë.
Nëse Kuvendi i madh kombëtar nxjerr një ligj mbi të njëjtën temë, dekreti presidencial bëhet i vjetruar.
Presidenti mund të nxjerrë akte nënligjore për të siguruar zbatimin e ligjeve dhe me kusht të mos kundërshtimit me ligjet.
NENI 105: Përgjegjësia penale e presidentit
VERSIONI I TANISHËM: Asnjë ankesë nuk duhet të bëhet tek çdo autoritet gjyqësor, duke përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese kundër vendimeve dhe urdhrave të në nënshkruara nga Presidenti i Republikës me iniciativë të tij/të saj. Presidenti i Republikës mund të akuzohet për tradhti të lartë me të paktën një të tretën e numrit të përgjithshëm të deputetëve të Kuvendit të madh kombëtar të Turqisë dhe me vendimin e të paktën tre të katërtave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve.
VERSIONI I PROPOZUAR: Iniciativa për një hetim të presidentit mbi akuzat e një krimi duhet të jepet me shumicën absolute të deputetëve të Kuvendit të madh kombëtar.
Në rast të hapjes së hetimit, hetimi kryhet nga një komision i përbërë prej 15 anëtarëve nga partitë politike në Kuvend në proporcion me fuqinë e tyre. Kuvendi i madh kombëtarë mund të marrë vendim për të dërguar presidentin para Gjykatës supreme me dy të tretat e votave të fshehta të anëtarëve të saj. Presidenti nën hetime nuk mund të marrë vendim për të dërguar vendin në zgjedhje. Mandati i presidentit përfundon nëse ai/ajo dënohet për një krim që është në mesin e kushteve të papërshtatshme presidenciale.
NENI 106: Nënkryetari dhe ministrat
VERSIONI I TANISHËM: Në rast të mungesës së përkohshme të Presidentit të Republikës për shkak të sëmundjes, udhëtimeve jashtë vendit ose rrethanave të ngjashme derisa Presidenti të rimerr funksionin e tij/e saj, dhe në rast se vendi i Presidentit mbetet i zbrazët si rezultat i vdekjes ose dorëheqjes ose për çfarëdo arsye tjetër, deri në zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, Kryetari i Kuvendit të madh kombëtar të Turqisë do të jetë si ushtrues detyre President i Republikës dhe do të ushtrojë kompetencat e Presidentit të Republikës.
VERSIONI I PROPOZUAR: Pas zgjedhjes së tij/të saj, Presidenti mund të emërojë një ose më shumë nënkryetarë.
Në rast të vendit të zbrazët të postit presidencial për çfarëdo arsye, zgjedhjet presidenciale të mbahen brenda 45 ditëve.
Në rast të mungesës së përkohshme të Presidentit të Republikës për shkak të sëmundjes, udhëtimeve jashtë vendit ose rrethanave të ngjashme, nënkryetari do të jetë si ushtrues detyre President i Republikës dhe do të ushtrojë kompetencat e Presidentit të Republikës.
Nënkryetarët dhe ministrat emërohen nga ana e Presidentit nga radhët e atyre që kanë të drejtë të jenë deputetë.
Deputetëve të Kuvendit të madh kombëtar u ndërpritet mandati në rast se emërohen si nënkryetarë ose ministra.
Nënkryetarët dhe ministrat i përgjigjen Presidentit.
NENI 116: Përsëritja e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale
VERSIONI I TANISHËM: Në rast se Këshilli i ministrave nuk arrin të marrë votëbesimin në bazë të nenit 110 ose bie përmes votës së mosbesimit në bazë të nenit 99 ose 111, nëse Këshilli i ri i ministrave nuk mund të formohet brenda 45 ditëve ose nuk arrin të marrë votëbesimin, Presidenti i Republikës në konsultim me Kryetarin e Kuvendit mund të vendosë për të shpallur zgjedhjet e reja.
VERSIONI I PROPOZUAR: Zgjedhjet mund të shpallen ose me shumicën prej tre të pestave të Kuvendit ose nga ana e Presidentit.
Zgjedhjet mbahen së bashku.
Të dy mandatet edhe të Presidentit edhe të Kuvendit të madh kombëtar janë pesë vjet.
NENI 119: Menaxhimi i situatës emergjente
VERSIONI I TANISHËM: Në rast të ndonjë katastrofe natyrore, sëmundje të rrezikshme epidemike ose krize të rëndë ekonomike, në takimin e Këshillit të ministrave të udhëhequr nga Presidenti i republikës mund të deklarohet gjendje e jashtëzakonshme në një ose më shumë rajone ose në tërë vendin për një periudhë jo më të gjatë se gjashtë muaj.
VERSIONI I PROPOZUAR: Në rast lufte ose një situate të nevojshme lufte, mobilizimi, kryengritje kundër vendit ose Republikës, kërcënimeve të pandashme të vendit dhe popullit, dhunës së përhapur ndaj rendit kushtetues ose të drejtave dhe lirive themelore, fatkeqësive natyrore, sëmundjeve të rrezikshme epidemike ose krize të rëndë ekonomike; Presidenti mund të shpallë gjendje të jashtëzakonshme në një ose më shumë rajone apo në të gjithë vendin për një periudhë jo më të gjatë se gjashtë muaj. Ajo do të publikohet në Gazetën Zyrtare dhe do të prezantohet në Kuvend për votim.
NENI 142: Themelimi i gjykatave
VERSIONI I TANISHËM: Formimi, detyrat dhe kompetenca, funksionimi dhe procedurat gjyqësore të gjykatave do të rregullohet me ligj.
VERSIONI I PROPOZUAR: Formimi, detyrat dhe kompetenca, funksionimi dhe procedurat gjyqësore të gjykatave do të rregullohet me ligj.
Gjykatat ushtarake nuk mund të themelohen vetëm në rast se kanë të bëjnë me disiplinë ushtarake. Gjykatat ushtarake themelohen vetëm në rast se personeli ushtarak kryen krime në situata të luftës.
NENI 146: Gjykata Kushtetuese
Pjesëtarët ushtarak hiqen nga Gjykata Kushtetuese, dhe numri i anëtarëve të saj zvogëlohet prej 17 në 15. Emrat e Gjykatës ushtarake dhe të Kasacionit dhe Gjykatës së lartë administrative ushtarake hiqen nga neni.
NENI 159: Këshilli i Lartë Gjykatësve dhe Prokurorëve
VERSIONI I TANISHËM: Këshilli i Lartë i Gjykatësve dhe Prokurorëve të përbëhet nga njëzetedy anëtarë të rregullt dhe dymbëdhjetë anëtarë zëvendësues dhe do të përmbajë tri dhoma.
Anëtarët zgjidhen për katër vjet. Katër anëtarë të rregullt nga Presidenti, tre anëtarë të rregullt dhe tre zëvendësues nga gjykata e pushuar, një anëtarë të rregullt dhe një zëvendësues nga Akademia turke e drejtësisë, shtatë anëtarët ë rregullt katër zëvendësues nga gjykatës dhe prokurorë.
VERSIONI I PROPOZUAR: Këshilli i Gjykatësve dhe Prokurorëve të përbëhet nga trembëdhjetë anëtarë të rregullt dhe të përmbajë dy dhoma.
Katër anëtarët e Këshillit emërohen nga mesi i gjykatësve dhe prokurorëve nga ana e Presidentit. Shtatë anëtarë emërohen nga Kuvendi i madh kombëtar. Ministri i drejtësisë është kryesues i këshillit dhe nënsekretari është anëtar natyror i këshillit.
NENI 161: Buxheti dhe Llogaritë përfundimtare
VERSIONI I TANISHËM: Këshilli i Ministrave paraqet buxhetin para Kuvendit të madh kombëtar.
VERSIONI I PROPOZUAR: Presidenti paraqet buxhetin para Kuvendit të madh kombëtar.
NENI 186: DATAT E ZGJEDHJEVE
Zgjedhjet do të mbahen më 03.11.2019. Deri në atë kohë, Presidenti dhe deputetët aktual do të mbeten në detyrë. Nëse Kuvendi i madh kombëtar vendosë të mbahen zgjedhjet, atëherë do të shpallen të dyja zgjedhjet së bashku.
Anëtarët e Këshillit të Gjykatësve dhe Prokurorëve zgjidhen brenda 30 ditëve dhe ata marrin detyrën brenda dyzet ditëve nga dita kur ky Ligj futet në fuqi. Në momentin kur ky Ligj të hyjë në fuqi, Gjykata ushtarake e apelit, Gjykata e lartë administrative ushtarake dhe Gjykata e luftës shfuqizohen.