PricewaterhouseCoopers, një nga firmat më të mëdha të shërbimeve profesionale në botë, ka publikuar parashikimet e saj për ekonomitë më të fuqishme në botë deri në vitin 2030, përcjell gazetametro.net. Raporti, që parasheh ndryshimet në ekonominë globale deri në vitin 2050 rendit 32 vende që do t’i prijnë botën në ekonomi, në bazë të bruto produktit të brendshëm, dhe fuqisë blerëse. Fuqia blerëse në këtë analizë është përdorur si instrument makroekonomik për të përcaktuar rritjen ekonomike dhe standardet e jetesës midis vendeve nëpër një periudhë të caktuar kohore. Si rezultat i kësaj, gjashtë nga shtatë ekonomitë më të mëdha në botë në vitin 2050 parashihet të jenë ekonomitë aktuale që janë në zhvillim, të udhëhequr nga Kina që do të jetë në vendin e parë si ekonomia më e madhe globale, India e dyta dhe Indonezia e katërta. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, parashihet që në vitin 2050 të jenë në vendin e tretë, ndërsa Bashkimi Evropian sot i përbërë nga 27 shtete parashihet të bie për 10 për qind në GDP-në botërore. Mbretëria e Bashkuar parashihet të bie në vendin e 10’të, Franca jashtë 10-shës së parë, ndërsa Italia jashtë 20’ëshes, duke hyrë në vendet e tyre aktuale, shtete si Meksika, Turqia dhe Vietnami. Por ekonomitë në zhvillim sipas këtij raporti kanë nevojë për të përmirësuar institucionet dhe infrastrukturën e tyre në mënyrë të konsiderueshme në qoftë se dëshirojnë të realizojnë potencialin e tyre të rritjes afatgjate.