Këtë vit Shqipërinë pritet ta vizitojnë 5.7 milion turistë

Kthimi i Shqipërisë në një destinacion të preferuar turistik dhe ardhja e turistëve të huajve në Shqipëri pritet të japë një kontribut gjithnjë e më pozitiv në ekonominë shqiptare, me efekt zinxhir në punësim, konsum, aktivitetet e bareve e restoranteve, bizneset e kohës së lirë etj. Në 2019-n vendin pritet ta vizitojnë 5.7 milionë vizitorë dhe deri në 2028-n numri i tyre pritet të arrijë në 6.6 milionë, sipas Këshillit Botëror të Turizmit dhe Udhëtimit (WTTC).

Kontributi i turizmit dhe udhëtimeve në prodhimin e brendshëm bruto (PBB) të Shqipërisë pritet që të jetë 27.3% për vitin 2019, me rritje 5.2 % nga viti i shkuar. Këshilli Botëror i Turizmit dhe Udhëtimit (WTTC) në raportin paraprak për vitin 2019 për ndikimin në ekonomi, parashikon që turizmi shqiptar do të rritet me ritme pozitive, përcjellë KOHA.

“Rritja kryesisht reflekton aktivitetin ekonomik të prodhuar nga industritë si hotelet, agjentët e udhëtimit, linjat ajrore dhe shërbimet e tjera të transportit të udhëtarëve. Por ajo gjithashtu përfshin, për shembull, aktivitetet e restoranteve dhe industritë e kohës së lirë të mbështetur drejtpërdrejt nga turistët”,- citohet në raport.

Kontributi i drejtpërdrejtë i turizmit në PBB pritet të rritet me 4.7%, duke arritur në 9.3% të PBB-së deri në vitin 2028.

Në vitin 2018 turizmi mbështeti në mënyrë direkte hapjen e 286 mijë vende pune. Kjo pritet të arrijë në mbi 300 mijë vende punë në 2019 dhe rritje me 1.4% në 111.000 vende pune (8.8% të totalit të punësimit) në vitin 2028.

Në vitin 2018, kontributi total i turizmit në punësim, duke përfshirë edhe vende pune të mbështetura në mënyrë indirekte nga industria, ishte 25.2 % të totalit të punësimit.

Eksportet e vizitorëve janë një komponent kyç i kontributit të drejtpërdrejtë të ‘Travel & Tourism.’ Në vitin 2018, Shqipëria pati 264.8 mld lekë të ardhura nga eksportet e vizitorëve. Në 2019, pritet të rritet dhe vendi pritet të tërheqë 5.7 mln turistë ndërkombëtarë. Deri në vitin 2028, ardhjet turistike ndërkombëtare parashikohet të arrijnë në 6,6 mln.

Raporti citon se, pjesa e udhëtimit dhe turizmit në investimet e përgjithshme kombëtare do të rritet nga 7.6% në 2018 në 8.2% në vitin 2028.

Në karakteristikat e përmendura të sektorit në vitin 2018, përmendet se në totalin e shpenzimeve, 22 % ishin nga turistë për arsye biznesi dhe pjesa tjetër, ato për kohë të lirë. (koha.mk)