Këtë herë, Erdogani nuk duhet ta marrë të mirëqenë fitoren!

Një sfidë tjetër për aleancën opozitare, është se edhe pasi kanë rënë dakord të garojnë me kandidatë të përbashkët në zonat elektorale kryesore, ata nuk kanë ende shumicën që u duhet për të mposhtur Erdogan. Që të fitojnë, 50 plus 1 për qind të votave, ata po llogarisin edhe votuesit kurdë që mbështesin Partinë Demokratike Popullore

 

Nga James RYAN

Pas 8 muajsh, Turqia do të mbajë zgjedhjet e reja, që do të shënojnë ose konsolidimin e pushtetit autoritar të Presidentit Rexhep Tajip Erdogan ose do t’i japin demokracisë turke një gjallëri të re. Kundërshtarët e Erdoganit janë më të bashkuar se kurrë, dhe analistët duken të sigurt për shanset e tyre për fitore. Por opozita turke përballet ende me një sërë sfidash të mëdha që burojnë nga mosmarrëveshjet e saj të brendshme. Për më tepër, ndërsa menaxhimi i ekonomisë ka kaluar nga keq në shumë keq, Erdogan ka ende disa mjete në dispozicion për të shfrytëzuar përçarjet në mesin e kundërshtarëve të tij, si në politikën e brendshme po ashtu edhe në atë të jashtme. Dobësitë e opozitës aktuale lidhen kryesisht me dy faktorë: ideologjinë e saj nacionaliste dhe mungesën e një politike të jashtme koherente. Deri më sot, shumë analistë kanë supozuar se Erdogan do të fokusohet tek ato duke përshkallëzuar politikat e tij agresive. Pra duke zgjedhur një përballje të ashpër me Greqinë, Uashingtonin apo forcat kurde, në mënyrë që të detyrojë opozitën të tubohet rreth flamurit kombëtar, dhe të shtrëngojë radhët pas tij. Por kjo nuk është alternativa e tij e vetme.

Advertisements

Nëse do ta bazojë fushatën e ardhshme mbi reputacionin e përmirësuar për shkak të luftës në Ukrainë, dhe do të forconte qasjen e tij më të moderuar në marrëdhëniet rajonale, ai gjithashtu mund të mposhtë opozitën në një mënyrë tjetër, duke u shpërfaqur si burrë shteti në prag të zgjedhjeve.

Shumica e analistëve e cilësojnë sistemin aktual në Turqi si një “autoritarizëm konkurrues”. Dhe kjo do të thotë se Turqia është një shtet autoritar që zhvillon hera-herës zgjedhje që janë ndonjëherë konkurruese. Duke u ndalur tek zgjedhjet e epokës republikane, mund të thuhet se zgjedhjet në Turqi kanë qenë të lira, por jo të ndershme. Vota në vetvete shihet kryesisht nga elitat dhe popullata si e shenjtë. Por ndërkohë ekzistojnë të gjitha llojet e barrierave strukturore dhe politike për pjesëmarrjen e plotë dhe të barabartë në vend, nga një media jo e lirë deri tek ndalimet ligjore të partive politike të caktuara. Kjo është bërë edhe më e vërtetë gjatë mbretërimit të Erdoganit, periudhë gjatë së cilës ai ka konsoliduar kontrollin e medias, ka burgosur udhëheqësit e partive rivale, dhe në një rast tentoi të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve. Por pavarësisht këtyre manovrave, rezultatet e zgjedhjeve të fundit nuk janë kundërshtuar në ndonjë shkallë të konsiderueshme nga partitë opozitare, dhe provat e manipulimit të votave, edhe pse të besueshme, nuk duket se janë në një nivel që do të kishte ndryshuar rezultatet.

Ndërsa vazhdon debati mbi nivelin e manipulimit të mundshëm në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, supozohet se duke pasur parasysh mungesën aktuale të popullaritetit të Erdogan, një kandidat i opozitës së bashkuar, do ta mundte atë në një votim të lirë.

Por zgjedhja e një kandidati të tillë mund të jetë problematike. Opozita përbëhet nga një aleancë midis Partisë Popullore Republikane dhe partnerëve të vegjël si Partia IYI, të cilat ndodhen në krahun e djathtë të saj. Ato janë bashkuar rreth dëshirës për mposhtjen e Erdogan dhe kanë premtuar një rikthim në sistemin parlamentar të qeverisjes, të cilin Erdogan e hodhi poshtë në vitin 2017. Por shumë votues të opozitës janë të përqendruar në çështje që përbëjnë një shqetësim të përditshëm: stanjacioni ekonomik, një krizë valutore, si dhe zemërimi ndaj numrit të madh të refugjatëve që ndodhen në Turqi. Ky paradoks është më i qartë në vendimin e afërt përzgjedhjen e një kandidati konsensual për t’u përballur me Erdoganin. Kryebashkiaku i Stambollit Ekrem Imamoglu, duket të jetë politikani më i aftë për ta rivalizuar presidentin. Kjo pasi në vitin 2019 ai e mundi 2 herë kandidatin e zgjedhur nga vetë Erdogan në zgjedhjet për kryetar bashkie. Por Imamoglu shihet nga disa rivalë dhe analistë turq si më pak i përshtatshëm për të realizuar agjendën e reformave demokratike. Këto shqetësime burojnë nga ambiciet dhe pavarësia e tij relative brenda Partisë Republikane Popullore.

Po ashtu, kandidati që ka qenë arkitekti i koalicionit të bashkuar opozitar, kryetari i Partisë Republikane Popullore, Kemal Kiliçdaroglu, cilësohet si një politikan me një personalitet të dobët, në një garë që me siguri do të jetë shumë e ashpër.

Një sfidë tjetër për aleancën opozitare, është se edhe pasi kanë rënë dakord të garojnë me kandidatë të përbashkët në zonat elektorale kryesore, ata nuk kanë ende shumicën që u duhet për të mposhtur Erdogan. Që të fitojnë, 50 plus 1 për qind të votave, ata po llogarisin edhe votuesit kurdë që mbështesin Partinë Demokratike Popullore. Kjo e fundit ka qenë partia politike më e përndjekur në epokën Erdogan, për shkak të mbështetjes së saj për të drejtat e kurdëve dhe lidhjeve me Partinë e jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK). Gjithsesi ajo gëzon ende shumicën e mbështetjes së kurdëve dhe është lojtarja më e rëndësishme në një koalicion të partive të majta të vogla por aktive të Turqisë. Udhëheqësit e saj janë burgosur për vite me radhë, edhe aty ku kandidatët e saj fituan zgjedhjet lokale në juglindje, u zëvendësuar përfundimisht nga të emëruarit e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) të presidentit turk. Dhe pjesa më e madhe e këtij represioni ka ndodhur me mbështetjen e heshtur apo të hapur, të partive në aleancën opozitare. Partia Popullore Republikane e Kiliçdaroglu mbështeti heqjen e imunitetit të Selahatin Demirtash dhe liderëve të tjerë kurdë në vitin 2016, gjë që i dha mundësi Erdoganit t’i burgoste ata.

Për më tepër, shumë figura brenda Partisë Popullore Republikane dhe Partisë Iyi të Meral Aksener, e kanë shpërfaqur hapur armiqësinë e tyre ndaj Partisë Demokratike Popullore dhe çështjes kurde, duke e bërë të vështirë që ata të fitojnë votat që do t’u nevojiten. Në fushatën e tij për kryetar bashkie në vitin 2019, ishte aftësia e Imamoglu për të fituar mbështetjen e kurdëve, çelësi që i garantoi atij fitoren.

Por arritja e diçkaje të ngjashme në shkallë kombëtare është një sfidë shumë më e vështirë. Pa kontakte dhe premtime kuptimplota, shumë votues kurdë mund të arrijnë në përfundimin se opozita do të bëjë pak për të lehtësuar shtypjen me të cilën përballen. Kiliçdaroglu ka të ngjarë ta kuptojë këtë, por është i kufizuar në atë që mund të bëjë. Udhëheqja kurde këmbëngulur që çdo takim me Partinë Popullore Republikane të bëhet në publik, duke mos pranuar negociatat klandestine. Opozita mund t’u ofrojë votuesve kurdë një kthim në politikën parlamentare dhe lirimin e liderëve të saj nga burgu. Por mbetet për t’u parë nëse do të mjaftojë kjo gjë.

(James Ryan është drejtor i kërkimeve dhe i Programit të Lindjes së Mesme në Institutin e Kërkimeve të Politikës së Jashtme)