Mesfushori Franck Kessie do të mbetet te Milani edhe për një kohë të gjatë. Mediumet italiane kanë raportuar të mërkurën se Milani tashmë i ka ofruar mesfushorit nga Bregu i Fildishtë rinovimin e kontratës. Negociatat kanë filluar mes palëve dhe pritet të mbyllen me sukses gjatë këtij muaji kur edhe do të zyrtarizohet marrëveshja.
Kessie ka kontratë me Milanin deri në vitin 2022, kurse klubi po dëshiron ta mbajë 23-vjeçarin deri në vitin 2023. Kessie këtë edicion është ndër lojtarët kryesorë të Milanit dhe për këtë arsye klubi e sheh mesfushorin si të rëndësishëm edhe për të ardhmen. Këtë edicion, Kessie ka shënuar tre gola dhe ka asistuar dy herë në 15 paraqitje në të gjitha garat.
Ai te Milani u transferua në vitin 2017 nga Atalanta dhe për “rossonerët” ka regjistruar 150 paraqitje në të gjitha garat. Para Kessiet, krerët e Milanit kanë nisur negociatat për rinovimin e kontratave edhe me Zlatan Ibrahimoviqin, Gianluigi Donnarumman e Hakan Calhanoglun.