Edhe pse shanset që të prekeni nga kanceri shtohen derisa ju plakeni, ka disa gjëra të cilat mund t’i bëni për ta parandaluar atë. Se “a mund të parandalohet kanceri”, është një pyetje që po thuajse të gjithë prej jush e keni bërë në momente të caktuara.
Përgjigja është po, edhe pse jo të gjitha kanceret mund të parandalohen. Ekspertët mendojnë se rreth dy të tretat e të gjithë kancereve kanë lidhshmëri me gjëra të cilat mund të kontrollohen, veçanërisht përdorimi i duhanit dhe ajo çfarë hamë dhe pimë. Rreziku për kancer mund të rrite edhe duke pasur kontakt me disa lëndë kimike, metale ose pesticide. Mjeku.Net ju sjell të përmbledhura disa mënyra se si mund ta ulni rrezikun për të zhvilluar kancer: Mos përdorni duhan dhe produkte të tij. Duhani shkakton kancer. Në të vërtet, tymosja e tij, përdorimi i duhanit pa tym dhe tymosja pasive (shpesh duke thithur tymin e duhanit të të tjerëve) shkakton një të tretën e të gjithë rasteve të kancerit në vit (në SHBA).
SHMANGNI DJEGIET NGA DIELLI. Ekspozimi i tepruar ndaj rrezeve ultravjollcë të diellit ose nga burime të tjera – si llambat me rreze ultravjollcë dhe kabinat e rrezatimit – dëmtojnë lëkurën tuaj dhe mund të shkaktojnë kancer të lëkurës.
HANI SI DUHET. Hani sa më shumë pemë dhe perime çdo ditë. Po ashtu pakësoni ushqimet e yndyrshme dhe hani sa më shumë fibra.
RUANI PESHËN NORMALE. Njerëzit të cilët janë të mbipeshë janë më të prirë të preken nga kanceri i prostatës, pankreasit, mitrës, kolonit dhe vezores. Femrat më të moshuara të cilat janë të mbipesha janë më të prira të zhvillojnë kancer të gjirit.
QËNDRONI AKTIV. Studimet tregojnë se stërvitjet mund t’u ndihmojnë të ulni gjasat për t’u prekur nga kanceri i gjirit dhe kolonit dhe mbase edhe kanceret tjera.
NËSE PINI ALKOOL, MOS PINI MË SHUMË SE NJË OSE DY PIJE NË DITË. Pirja e sasive të mëdha të alkoolit rrit rrezikun për kancer në gojë, fyt, ezofag dhe laring. Njerëzit të cilët tymosin duhan dhe pinë alkool kanë një rrezik veçanërisht të lartë për t’u prekur nga këto kancere.
Ndiq rregullat e punës dhe të sigurisë për të shmangur kontaktin e rrezikshëm me materiale të cilat shkaktojnë kancere.