Në vendin tonë, shporta minimale sindikale për një vit është rritur për 5500 denarë, pra për 16 për qind. Pyetja është se si mund të kursejnë qytetarët dhe si të përballen me çmimet e larta të produkteve dhe shërbimeve?
Zenel MIFTARI
Shkup, 13 gusht – Pothuajse nuk ka një vend në botë që nuk po përballet me inflacion të shtuar në këtë krizë ekonomike. Ndërkohë problemet janë shtuar mbi kokat e qytetarëve që po përballen me çmimet e larta të produkteve bazë të ushqimit dhe shërbimeve tjera. Rritja e çmimeve të ushqimeve, karburanteve dhe energjisë elektrike është një barrë e shtuar për familjet në Maqedoninë e Veriut. Inflacioni i madh që na ndjek prej disa kohësh dhe kriza ekonomike bashkë me atë energjetike me të cilën po përballemi, i detyron qytetarët të përpiqen të kursejnë dhe të mendojnë dy herë kur vendosim të blejnë gjëra të cilat nuk janë të domosdoshme. Në vendin tonë, shporta minimale sindikale për një vit është rritur për 5500 denarë, pra për 16 për qind. Pyetja është se si mund të kursejnë qytetarët dhe si të përballen me çmimet e larta të produkteve dhe shërbimeve? Pa një buxhet të mirë organizuar familjar dhe blerje të planifikuara me kujdes, është e vështirë të shihet fundi i muajit, sepse një pjesë e madhe e buxhetit shpenzohet për mbijetesë, pra për ushqim, transport dhe strehim. Çdo gjë tjetër tani duket si një luks, frika dhe ethet e qytetareve për rritje të mëtejshme të çmimeve vetëm se vazhdon e rritet çdo ditë e më shumë.
Në një atmosferë të tillë, është e nevojshme të drejtoheni në kursim. Analistët e huaj thonë se është e nevojshme të fillojmë të kursejmë me atë që mund të mbijetojmë – të gjitha lukset e vogla, që janë udhëtimet, shkuarja në restorante, porositja e ushqimit, minimizimi i shpenzimeve të gardërobës sepse. Ata thonë se blerja e pakove më të mëdha të produkteve kursen para, pavarësisht nëse është një paketë më e madhe shampo, pluhur larës apo letër higjienike. Ata paralajmërojnë gjithashtu që të merret parasysh me kujdes çmimi i produktit, të mos blini me nxitim dhe të eksploroni të gjitha opsionet, për të zgjedhur çmimin më të ulët. Analistët kroatë përmendin se duhet të ndiqen të gjitha veprimet dhe zbritjet, në mënyrë që qytetarët të kursejnë shumë.
Analisti ekonomik Zdravko Saveski, për mediat ka thënë se kostoja e jetesës zakonisht zvogëlohet në muajt e verës, e kjo po ndodh edhe këtë vit. “Të gjithë treguesit ekonomikë tregojnë se ky është vetëm një pushim i shkurtër përpara se të fillojë më e keqja e inflacionit dhe një krizë e mundshme ekonomike. Inflacioni sjell varfërim dhe kriza ekonomike mund të sjellë humbjen e vendeve të punës dhe aktivizimin e hipotekave bankare, duke qenë se në vendin tonë shumë njerëz janë me shumë borxhe ndaj bankave. Nuk ka dyshim që Qeveria duhet të marrë masa. Këtë po e bën në mënyrë të pamjaftueshme, siç dëshmohet nga heqja e menjëhershme e pothuajse të gjitha masave kundër inflacionit në qershor. Por qytetarët duhet të bëjnë përpjekje që të ruajnë standardet e tyre të jetesës. Ata duhet të kalojnë në shpenzime më racionale të të ardhurave të tyre të fituara me vështirësi. Kjo do të thotë se ata duhet të mendojnë se nga çka u “ikin” paratë dhe t’i anulojnë ato shpenzime ose së paku t’i minimizojnë”, deklaroi Saveski.
Ai sqaroi se duhet të mendohen alternativa më të lira, sidomos rreth transportit, përdorimi i biçikletave dhe transportit publik në vend të makinave individuale. “Duhet të shmanget i ashtuquajturi blerje impulsive dhe blerje rekreative, gjatë të cilave shpenzohen para për gjëra të ndryshme të panevojshme. Ekziston një këshillë klasike për blerjet në treg. Bëni një listë të produkteve më të nevojshme në shtëpi dhe përmbajuni asaj në treg. Kjo do të shmangë shpenzimin e panevojshëm të parave për produkte që nuk janë të nevojshme dhe gjithashtu do të kursejë kohë, sepse nuk do të dilni më në treg për diçka që keni shpikur për të blerë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të shmanget shpërdorimi i ushqimit të mos marrësh kredi të reja nëse nuk është absolutisht e nevojshme, si dhe të punohet për t’u bërë më rezistent ndaj propagandës së marketingut, e cila ‘merr’ para nga xhepat e qytetarëve”, nënvizoi ai. (koha.mk)