Dartz është një kompani nga Letonia e specializuar në prodhimin e SUV-ëve të shtrenjtë dhe unikë antiplumb. Me projektin e ri, ky prodhues shkoi në një drejtim krejtësisht tjetër, shkruan Autoblog. Freze Froggy EV Beachstar është një veturë e vogël elektrike që duket sikur e viteve ’80. Faqja e prodhuesit e reklamon veturën me sloganin: “Vetura elektrike më e lirë në BE”.
Nëse është më e lira, nuk është e sigurt, por kjo veturë e vogël duket si një lodër. Ajo bazohet në veturën elektrike kineze Wuling Hong Guang Mini EV.
Vetura ofron një mundësi të ecjes prej 200 kilometrash në versionin standard dhe 300 kilometrash me një bateri me rreze të gjatë. Fuqia e motorit elektrik është 41 kuajfuqi. Sipas prodhuesit, shpejtësia maksimale është 100 km/h. Dartz planifikon të fillojë dërgesat e modelit Freze Froggy EV Beachstar në mesin e vitit 2023. Çmimi pritet të jetë rreth 20 mijë euro.