Shefi i ekzekutivit të Kosovës, Ramush Haradinaj tha se kjo rrugë po i afron mes veti shtetet fqinje dhe po i jep një pamje të re gjithë rajonit. “Kjo rrugë na afron me njëri tjetrin dhe na bashkon me Evropën. Kjo i jep një pamje të re jo vetëm Kosovës, por dhe rajonit. Shpresoj që bashkë me mikun tim, Zoran Zaev që së bashku të takohemi në anën tjetër për të përuruar pjesën e Maqedonisë së Veriut
Kaçanik, 29 maj – Përmes një ceremonie është përuruar autostrada “Arbën Xhaferi” që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut. Kjo u cilësua si një rrugë që do të shërbej si një urë bashkëpunimi mes shteteve fqinje që do të përfiton gjithë rajoni i Ballkanit. Pjesë e këtij inaugurimi ishin krerët institucional të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ndërsa të ftuar ishin kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe ai i Malit të Zi, Dushko Markoviq dhe ambasadorë të akredituar në Kosovë. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se kjo ditë është e veçantë jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin ballkanik.
Sipas tij, ky është një investim i fuqishëm, por që ka pasur vlerë. “Sot po përurojmë një nga projektet më madhore të shtetit të Kosovës, urën më të gjatë në rajonin tonë. Është një investim i fuqishëm, por që ia ka vlejtur, sepse një Kosovë e lirë dhe e pavarur edhe duhet të zhvillohet. Prandaj, nëse dje kemi ëndërruar që të kemi një Kosovë të tillë, sot e kemi realitet. Nëse dje na është dukur e pamundur që të kryejmë projekte të tilla, sot i kemi realitete. Nëse dje këto përvoja i kemi kaluar në botën perëndimore, sot i kemi në Kosovën e re”, ka thënë presidenti Thaçi. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli u shpreh se me anë të kësaj autostrade Kosova po lidh ura të bashkëpunimit me fqinjëve. “Sot po tregojmë që Kosova është faktor stabiliteti që po ndërton ura që i lidh shtetet fqinje. Po lidhemi edhe ura të bashkëpunimit mes popujve”, tha ai.
Shefi i ekzekutivit, Ramush Haradinaj tha se kjo rrugë po i afron mes veti shtetet fqinje dhe po i jep një pamje të re gjithë rajonit. “Para 20 vitesh, kjo rrugë e kishte domethënien e braktisjes së atdheut për të kërkuar shpëtim. Sot marrim frymë lirshëm dhe me guxim, shohim përtej fatkeqësisë në të ardhmen prosperuese”, kështu tha kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë ceremonisë së hapjes së Autostradës “Arbën Xhaferi”.
Kryeministri Haradinaj tha se janë këtu bashkë, për t’iu gëzuar kësaj vepre moderne, që i jep një pamje të re jo vetëm peizazhit të Kosovës, por tërë rajonit, si një hapësirë, që është ndarë së bashku nëpër shekuj. Gjatë fjalës së tij në këtë ceremoni, ai tha se kanë hasur në sfida gjatë rrugëtimit, por nuk janë ndalë, sepse kanë pasur besim, jo vetëm në cilësinë e ekspertizën e operatorëve, por në të gjithë ata parametra të tjerë, që dëshmojnë se është njëra ndër veprat më të bukura të infrastrukturës në Ballkan.
“Janë paratë e taksapaguesve, të qytetarëve të Kosovës dhe ju garantojmë me përgjegjësinë më të madhe, se me respektin më të madh është bërë kujdes, që ky investim të jetë në përputhje me obligimet ligjore që kanë institucionet e vendit, në përputhje me qëllimin e këtij projekti, që sot ta kemi të përfunduar”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Kosova po ecë me guxim në infrastrukturë. “Kjo rrugë na afron me njëri tjetrin dhe na bashkon me Evropën. Kjo i jep një pamje të re jo vetëm Kosovës, por dhe rajonit. Shpresoj që bashkë me mikun tim, Zoran Zaev që së bashku të takohemi në anën tjetër për të përuruar pjesën e Maqedonisë së Veriut. Është bërë kujdes që ky investim të bëhet në përputhje në aspektet ligjore, kemi pasur pak pengesa, por kemi realizuar qëllimin”, tha ai.
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev tha se kjo autostradë prej sot do të bëhet rrugë komunikacioni që do të mundësojë qarkullimin më të shpejtë dhe se kjo autostradë është një shpërblim për durimin dhe lidhjet e shumta që Kosova i ka me Maqedoninë e Veriut. Fjalë të mëdha për këtë autostradë kishte dhe kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq. Kurse ambasadori i ShBA-së, Philip Kosnnet po ashtu tha se me anë të kësaj autostrade do të përfitojë gjithë rajoni. Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj u shpreh se përkushtimi i institucioneve të Kosovës do të vazhdojë në ndërtimin e autostradave të tjera dhe se 65.5 kilometrat e kësaj autostrade do të lidhin Prishtinën me komunat tjera, vendin tonë me Maqedoninë e Veriut. Autostrada “Arbën Xhaferi” i ka kushtuar buxhetit të Kosovës mbi 650 milionë euro.
URA MË E GJATË NË RAJON
Autostrada “Arbën Xhaferi” ka urën më të gjatë dhe më të gjerë në rajon. Gjatësia është 5.7 kilometra pa ndërprerje, kurse maksimumi i lartësisë është 83 metra. Në këtë autostradë kanë punuar 383 nënkontraktorë – të gjithë nga Kosova dhe numri i punëtorëve ka qenë 9384. Është dhënë mjaft buxhet, por 80 për qind është ndalë në Kosovë. 706 milionë euro në tërësi ka kushtuar projekti.
AUTOSTRADA SHKUP-BLLACË E HUMBUR NË PROJEKTIME
Autostrada Shkup-Bllacë nuk do të jetë gati as në vitin 2019 ndërkohë që ndërtimi i saj premtohet për plotë 17 vite apo nga viti 2002. Drejtuesit e institucioneve të Maqedonisë së Veriut, në veçanti ato që drejtohen nga shqiptarët, në vazhdimësi kanë dhënë afate mbi nisjen e punimeve për këtë segment rrugor që konsiderohet si shumë i rëndësishëm si për bizneset ashtu edhe për qarkullimin e njerëzve, por në terren gjërat nuk kanë lëvizur nga pika zero.
Edhe për këtë vit, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka dalë me premtimin se më së voni në vjeshtë do të nisin punimet për 2 kilometrat e parë nga gjithsej 12.5 kilometra sa është paraparë të ketë gjatësi apo deri në lidhjen e saj me autostradën e Korridorit 8. Ndërtimi i autostradës do të kushtojë 100 milionë euro, mjete këto të siguruara nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
“Këto ditë presim që të marrim projektin për autostradën Shkup-Bllacë dhe në muajin qershor të shpallet tenderi për caktimin e kompanisë që do të realizojë punimet. Kjo procedurë presim që të përfundojë në muajt korrik apo gusht. Kështu që, ndërtimi i dy kilometrave të parë të kësaj autostrade presim të nis nga vjeshta e këtij viti. Pas përfundimit të punimeve për fazën e parë, presim që më pas të nisim punimet edhe për 10.5 kilometrat e tjerë. Procedurat për fazën e dytë presim të mbyllen deri në fund të vitit që vitin e ardhshëm të nisin punimet dhe të përfundojë ky projekt”, ka deklaruar Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugarevski.
Autostrada, sipas projektit të paralajmëruar nga Qeveria, do të ketë në trase të re dhe do të ketë katër tunele dhe tetë ura. Zvarritja e ndërtimit të saj në vazhdimësi është kritikuar nga komuniteti i biznesit, nga partitë opozitare por edhe nga faktor të tjerë që kanë lidhje qoftë afariste apo familjare me Kosovën.