Kryetari i këshillit të Komunës së Tetovës, Bekim Memeti, thotë se vendimi që të mos mbahet mbledhje e këshillit është sjellë në konsultim me partitë politike dhe Bashkësinë e njësive të vetëqeverisjes lokale.
Urim HASIPI
Tetovë, 9 prill – Gjatë muajit mars, Këshilli i Komunës së Tetovës nuk ka mbajtur asnjë seancë. Përkeqësimi i gjendjes me koronavirusin ka bërë që të merret vendim që të mos mbahet asnjë seancë e jashtëzakonshme gjatë muajit të kaluar, ndërsa nga opozita kanë reaguar që të mbahet një mbledhje që të sillen disa vendime në të mirë të qytetarëve. Nga Lëvizja BESA thonë se në shtabin emergjent nuk ka asnjë këshilltar nga opozita. “Shkaku i situatës në të cilën ndodhemi, pamundësia që të mbajmë mbledhje për muajin maj ishte e arsyeshme, por për muajin prill duhet që të gjendet një formë, si online, që të mund të sillen vendime në lidhje me pandeminë e koronavirusit. Është nënçmuese fakti që kryetarja e Komunës së Tetovës nuk ka marrë asnjë këshilltar nga opozita në shtabin emergjent, pra informacionet që i marrin këshilltarët, në vend që të jemi bashkë me këtë shtab, ne jemi të njëjtë me qytetarët, nuk kemi asnjë informacion. Pra implementohen vendime që duhet të sillen në Këshillin e komunës”, tha Besar Durmishi, këshilltar nga Lëvizja Besa.
Sipas tij, ka shumë lagje dhe rrugë që nuk janë dezinfektuar. “Për fat të keq, për këtë marrim vesh nga qytetarët që nuk është bërë dezinfektimi në disa lagje. Sa i përket masave që janë marrë, duhej që Komuna ta ketë planin e gatshëm se cilët rrugë do të dezinfektohen, sa material ka për dezinfektim, dhe nëse nuk ka mjaftueshëm do të kontribuonim edhe ne që të gjendet”, pohon Durmishi.
Nga VMRO-DPMNE-ja kërkojnë që këto vendime të kenë ndikim në jetën e qytetarëve. “Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, të propozojë masa urgjente, të anulohen taksat komunale, tatimi i shitblerjes dhe të hyrave tjera që në këtë kohë mund të rëndojnë më shumë buxhetin e qytetarëve. Kërkojmë që të ulet në minimum taksa komunale për shitje të pronës publike për vitin 2020, gjithashtu të ulet në minimum taksa për subjektet juridike. Të sillet vendim që të mos paguhet parkingu zonal, të sigurohen vauçerë për ushqim për kategoritë e rrezikuara, si dhe të sigurohen kompjuterë për nxënësit që nuk kanë për të ndjekur mësimin online”, thonë nga VMRO-DPMNE-ja.
Në ndërkohë, kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Bekim Memeti, thotë se vendimi që të mos mbahet mbledhje e këshillit është sjellë në konsultim me partitë politike dhe Bashkësinë e njësive të vetëqeverisjes lokale. “Vendimin për të mos mbajtur seancë të këshillit e kam marrë në konsultim edhe me kolegët tjerë të komunave përreth, me BNJVL-në, koordinatorët e partive politike, por edhe në pajtim me udhëzimet e Qeverisë për preventivë ndaj koronavirusit. Për muajin prill do të shohim se si do të rrjedhin punët. Nëse e shohim të arsyeshme apo të nevojshme, mund edhe të mbajmë mbledhje”, tha Bekim Memeti, kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës. Në ndërkohë, sipas informacioneve, Komuna e Tetovës tashmë një kohë të gjatë ndan pako ushqimore për rastet sociale. Pakot ndahen për shumë familje si në qytet po ashtu edhe në fshatrat e Malësisë së Tetovës. (koha.mk)