E gjithë kjo, që tani po reflekton me një politikë jostabile për shtetin, tregon se të gjithë këshilltarët e tij janë të dobët dhe fare nuk dinë që ta këshillojnë liderin si të menaxhojë shtetin dhe politikën, si ta shtyjë procesin përpara deri në hyrje në Bashkimin Evropian dhe zhvillimin ekonomik të vendit”, potencoi analisti Ali Hertica për “Kosova Sot”. Analistët: Këshilltarët po e orientojnë gabimisht kryeministrin Haradinaj, duke e futur në rrugë të gabuar
Veprimet e Qeverisë dhe kryeministrit në shtimin e luksit dhe rritjen e pagave të tyre, kritikohet ashpër nga njohësit e skenës politike kosovare. Ata ia përkujtojnë kreut të ekzekutivit se kur ishte në opozitë e kritikonte fort ish-kryeministrin Mustafa, për Qeverinë megalomane. Sipas analistëve, këshilltarët po e orientojnë gabimisht kryeministrin Ramush Haradinaj, duke e futur në rrugë të gabuar. Analisti Florim Zeqa tha për “Kosova Sot” se ndryshimi i Ramush Haradinajt pas marrjes së postit të kryeministrit i ka befasuar të gjithë në Kosovë. “Vendimi përmes së cilit kryeministri ia rriti pagën vetes nga 1.300 në 2.950 euro në muaj, pagë kjo e cila përveçqë e bën atë më të paguar se presidenti i Kinës, Xi Jinping dhe kryeministri i Indisë, e renditë Ramush Haradinajn ndër kryeministrat më të paguar në shtetet e rajonit dhe njërin ndër 10 kryeministrat më të paguar në botë, kundrejt një popullate pothuajse ekstremisht të varfër, kundrejt pagës mesatare në vend e cila sillet nga 250- 300 euro, përveçse është e kundërligjshme paraqet edhe vepër penale. Në anën tjetër, edhe rritja e numrit të ministrive dhe shtimit enorm (gjithnjë në rritje) të zv.ministrave dhe stafit tjetër përcjellës bie në kundërshtim të plotë me deklarimet e tij si lider opozitar në qeverisjen e kaluar”, u shpreh ai. “Vërtet ndjej dhembshuri për imazhin e rrënuar të kryeministrit të shtetit tim, pavarë- sisht se cilët janë fajtorët për këtë; këshilltarët e dobët të tij apo presioni nga partnerët e koalicionit qeverisës, të cilët mund të kenë ndikuar në rritjen e madhe të zv. ministrave, por jo edhe të pagës së kryeministrit”,tha analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot”.
KADRIAJ: QYTETARËT NUK E DINË KU ËSHTË SANT MORRISI KU I KRYEN PUSHIMET KRYEMINISTRI AKTUAL
Analisti Mustafë Kadriaj tha për “Kosova Sot” se nga kryeministri aktual ka pritur dy parime në krahasim me të tjerët, pra vendosmërinë për t’u shtyrë problemet, si dhe drejtësinë. ” Por, me të marrë detyrën e të parit të Qeverisë, për fat të keq, filloi pa plan me një kryeneçësi, duke marrë vendime siç është shprehur edhe vetë kryeministri pse atij iu ka tekë. Pra, kryeministri aktual dështoi si në zgjedhjen e problemeve, por edhe për dallim nga kryeministrat e kaluar ky i dha të drejtë vetes për ta shpërblyer vetveten dhe stafit qeverisës me rritje të pagës afër 100 për qind, duke e dhënë një shembull aspak korrekt, si nga ana ekonomike dhe juridike dhe njëherësh duke dhënë një shembull jo të mirë para opinionit dhe qytetarit të varfër”, u shpreh ai. “Së pari, rritja e pagave është dashur që të parashikohet me buxhetin për vitin 2018 dhe po ashtu pa treguar një vit qeverisjeje për të arsyetuar rritjen e pagave. Do të pranohej sikur të kishte marrë vendim në fund të viti 2018, duke ndalur korrupsionin, duke ndodhur liberalizimi i vizave, duke krijuar kushte të të bërit biznes dhe duke ngritur investimet e huaja në Kosovë, po ashtu duke ngritur mirëqenien dhe duke rritur pagën minimale, por në mënyrë autokrate, duke shpërblyer vetveten, ndërsa pagën minimale dukë lënë një pagë sociale në vlerë 170 euro, që as shportën e konsumit nuk e mbush e mos të flasim për veshmbathje e për shkollim të fëmijëve ose për ndonjë pushim brenda Kosovës, sepse qytetarët nuk e dinë ku është Sant Morrisi ku i kryen pushimet kryeministri aktual”, potencoi Kadriaj për “Kosova Sot”.
Vendim arbitrar
Analisti politik Ali Hertica tha për “Kosova Sot” se liderizmi i pakontestueshëm dhe egoja që z.Haradinaj të marrë postin e të parit të shtetit ishte një ëndërr e kamotshme. ” Mirëpo, me ardhjen e të parit të shtetit krijoi thuajse një agjenci të punësimit, duke rritur numrin e ministrive dhe atë të zëvendësministrave që do të bëjë gara thuaja edhe me Kinën dhe Indinë”, u shpreh ai . Sipas Herticës,” rritja e pagës, që është më e larta në rajon, e një kryeministri, është vendim i paligjshëm, arbitrar e skandaloz i Qeverisë. “Ky vendim po cilësohet si i paligjshëm nga shoqëria civile dhe nga partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës. E gjithë kjo që tani po reflekton me një politikë jostabile për shtetin, tregon se të gjithë këshilltarët e tij janë të dobët dhe fare nuk dinë që ta këshillojnë liderin si të menaxhojë shtetin dhe politikën, si ta shtyjë procesin përpara deri në hyrjen në Bashkimin Evropian dhe zhvillimin ekonomik të vendit”, potencoi ai për “Kosova Sot”. Kurse analisti politik, Arsim Haziri për Kosova Sot” tha se qeverisja e tanishme është zgjatim dhe vazhdim i mendësisë së dikurshme që e praktikonin PDK-ja dhe LDK-ja, pra një logjikë e njëjtë, e cila as nuk promovon e ndjek orientimin për një shtet funksional, por as që e avancon imazhin e Kosovës në rrafsh ndërkombëtar. “Si e tillë është qeverisje e shpenzimeve dhe ngarkimit buxhetor,është qeverisje e dobët në cilësi e ngritur në sasi, është qeverisje përplot kërkesa dhe aspak qytetare. Është qeverisje si bashkëpjesëmarrje në krim dhe padrejtësi si dhe është qeverisje jovigjilente, e papërmbajtshme dhe assesi e koordinueshme”, vlerësoi ai për “Kosova Sot”.
Fuqia e vogël politike
Analisti politik dhe specialist i fushës së Integrimeve Evropiane, Jeton Kelmendi, për “Kosova Sot” tha se kryeministri Haradinaj përpiqet të tregojë se është i suksesshëm, por ka një fuqi të vogël politike në Kuvend. “Edhe atëherë në kohën e Rugovës, kur ishte kryeministër, duke qenë se ishte më i vogël e bëri të keqen e vogël edhe atëherë. Tash, kryeministri Haradinaj sërish erdhi në këtë post, duke e zënë situatën pisk në politikë dhe këtë e ka dëshmuar ai se sa shumë e do postin e kryeministrit, sepse ky post të ofron para të majme. Por, që nga ardhja e tij në këtë post ndodhi falja e milionave për bizneset e prodhuesve të ujit”, u shpreh ai. “Këto veprime të tij për një njeri normal lënë vend për dyshime se prapa këtyre skenarëve për kontratën e ” Kosovës së Re”, janë veprime secili më i zi se tjetri për Kosovën. Prandaj, unë nuk mendoj se kryeministri Haradinaj është tjetërsuar që nga marrja e këtij posti, sepse Ramush Haradinaj ka qenë po ai i njëjti vetëm se ai ka kërkuar që t’iu hedh hi syve elektoratit dhe të paraqitet një shpëtimtar”, vijoi më tutje Kelmendi. Sipas tij, këshilltarët nuk janë fajtorë, sepse ata janë sa për sy e faqe, që t’iu japë nga një pagë dhe ata janë sejmenë edhe më të paditur. “Ata janë njerëz, gazetarë, që janë tepricë teknologjike e punës së tyre, ngase ata janë gazetarë që kanë mbetur pa punë. Prandaj, fajin e ka vetë Haradinaj, sepse ai i do këshilltarë ata që e këshillojnë kështu se çfarë do Ramush Haradinaj”, theksoi Kelmendi. Sipas tij, kryeministri nuk ka dashur që të ketë këshilltarë profesorë universitarë, që ta orientojnë për së mbari, pra nuk ka dashur profesorë universitarë, por ka qenë ai që i ka tallur profesorët universitarë.