Lidhur me emërimet e reja në Këshillin për reforma, siç është rasti me Lube Boshkosvkin, analistët Alajdin Demiri dhe Bashkim Selmani thotë se Zaevi po punon më shumë për ta qetësuar opozitën dhe për ta neutralizuar një pjesë të saj sesa çuarjen përpara të reformave në gjyqësor dhe në sektorë të tjerë
Fatos RUSHITI
Shkup, 5 prill – Koncepti për qeverisje të mirë dhe reformatore që po proklamon Qeveria e Zoran Zaevit, në praktikë lë shumë për të dëshiruar. Kjo sa i përket përzgjedhjes së njerëzve që do të këshillonin kryeministrin drejt qeverisjes të mirë dhe përzgjedhjes së njerëzve në poste të larta qeveritare të etiketuar në opinion si të afërt me VMRO-në. Së fundmi, në listën e re të Këshillit për reforma në gjyqësor ka shumë emra që nuk shquhen për kredibilitet të lart profesional, si nga maqedonasit ashtu dhe nga shqiptarët. Përveç kësaj, për këshilltar politik u përfol dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Lube Boshkoski që nuk ka histori aspak të mirë në raport me shqiptarët për masakrën e Lubotenit gjatë konfliktit të vitit 2001.
Po në kohën kur Qeveria Zaev zotohet për zbardhjen rasteve të montuara politike, përfshirë dhe shumë vrasje që nga viti 2001 e këndej, kryeministri këshillohet në lëminë e sigurisë nga Zoran Verushevski, ish-drejtor i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim në kohën kur ndodhi rasti i Sopotit që tashmë veçmë ka filluar të zbardhet. Po kaq me interes ishte fakti se Verushevski u përfol seriozisht edhe për drejtor në DSK para një viti, kur bisedohej për ndarjen e kulaçit qeveritar. Po ashtu, edhe në rasti “Monstra”, rast që tronditi Maqedoninë por dhe opinionin e gjerë në Ballkan me vrasjen e katër djemve të rinj maqedonas – njerëz që kanë pasur përgjegjësi politike në atë kohë tani bëhen dhe këshilltarë për reforma në gjyqësor.
Rasti me Almirin e vogël që mori jehonë të madhe në opinion ishte ndër rastet me eklatante që Qeveria e Zaevit imiton atë të VMRO-së në raport me shqiptarët, duke mos bërë asgjë rreth rikualifikimit të veprës penale ndaj vrasësit Boban Iliq nga “vrasje me paramendim” në “aksident trafiku me pasojë vdekje”. Zaevi hesht edhe sa i përket eksponentëve të lartë të BDI-së, tani partner i saj në Qeveri, që në “bombat” që Zaev bëri publike, kishte disa persona që përfliteshin për korrupsion. Alajdin Demiri, publicist dhe njohës i politikës në vend, në lidhje me emërimet e reja si këshilltar politik dhe juridik në Këshillin për reforma, thotë se Zaevi i bën këto sepse nuk do të bëjë reforma rrënjësore.
Sipas Demirit, marketingu që bën Zaev për reformat – bëhet përmes truqeve të ulëta që nuk do të japin ndonjë efekt pozitiv. “Këto procese siç janë reformat në gjyqësor, emërime dhe zvarritja e shkarkimeve të disa personave, të cilat po vonohen – janë të çuditshme. Nuk e di nëse bëhet fjalë për profesionalizëm. Këta të emëruarit e rinj, këta të zëvendësuarit pikërisht janë ata që e kanë frenuar zhvillimin e gjyqësisë dhe reformat. Si përfundim mund të nxirret se Zaevi nuk do të bëjë reforma dhe ky është një problem. Ndërsa sa përket heshtjes ndaj strukturave me të kaluar korruptive në BDI, Zaevi ka një arsye politike për këtë, meqë nuk kishte mundësi të zgjedh partnerin qeveritar kur nuk i kishte numrat në Parlament”, thekson për KOHA, Demiri. Natyrisht, emërimet e reja, thotë Demiri, janë për ta bërë për vete një pjesë të opozitës. “Nuk ka benifite tjera dhe nuk sjell ndonjë efekt zgjedhor. Ai dëshiron të luaj rolin e burrështetasit se nuk i konsideron shumë ndasitë partiake. Këto janë vetëm truqe të ulëta të cilat nuk besoj se do të japin rezultate”, thekson Demiri. Ai mendon se këto emërime bëhen dhe për faktin se Zaevi rejtingun e ka të dyshimtë për të shkuar eventualisht në zgjedhje të parakohshme pas Samitit të NATO-së në korrik të këtij viti, për dallim nga rejtingu i lartë që kishte gjatë zgjedhjeve lokale.
“Zgjedhjet e parakohshme janë tani më diskutabile dhe krejt varet si do të shkojë procesi me emrin. Rejtingu i LSDM-së që të shkojë në zgjedhje të parakohshme është i dyshimtë, pra nuk është si gjatë zgjedhjeve lokale. Përveç retorikës dhe klimës politike, të gjitha proceset tjera LSDM i ka të ngadalësuara dhe nuk ka rezultate konkrete, sidomos kur i shtojmë dhe krizën ekonomike në vend. Marketingu të cilin është duke e bërë për rritje të rejtingut është jashtëzakonisht i dobët për arsye se i mungojnë rezultatet dhe e vetmja gjë që e ka Zaevi – është e retorika për reforma”, thekson Demiri.
Ndërkaq eksperti juridik, Bashkim Selmani, thotë se Zaevi nuk ka zgjedhur formën e mirë për ta qetësuar opozitën – madje po e imiton atë sa i përket fshehjes së dosjeve kriminale. Selmani merr shembullin e anëtarëve të përzgjedhur nga Zaevi në Këshillin për reforma, ku siç thotë ai, pjesa dërmuese kanë pasur qëndrime antishqiptare dhe përgatitje jo dhe aq profesionale.
“Është fakt që nëse merret ana biografike e këtyre personave, pjesa dërmuese kanë qëndrime të dëshmuara antishqiptare dhe jo aq profesionale. Nga ana tjetër, Zaevi premtoi frymë të re dhe pa dosje të dyshimta në të kaluarën dhe shikuar në këtë prizëm, këto emërime janë një pjesë e zemërimit të qytetarëve dhe humbje e shpresës për reforma të dëshiruara për opinionin. Jo vetëm tek këshilltarët, por edhe për emërime tjera Zaevi për të qetësuar opozitën – duket se po i bën gabimet njëjta si qeveria e kaluar. Këtu dallon edhe për nga fshehja e dosjeve kriminale të personave që tanimë qytetaret kanë averzion dhe ndjehen të shqetësuar për veprimet antishqiptare dhe përgatitje jo profesionale”, thotë profesori universitar, Bashkim Selmani.
Ndryshe në Këshillin për reforma që kohë më parë e formoi kryeministri Zoran Zaev, u emëruan këta persona: ministri i Drejtësisë dhe zëvendësi i tij, Prokurori Publik, Lubomir Jovevski, prokurorja speciale Katica Janeva, Avokati i Popullit, Ixhet Memeti, kryetari i Shoqatës së Gjykatësve, gjykatësit nga Gjykata Supreme, Xhemali Saiti dhe Mirjana Radevska Stefkova nga Gjykata Supreme, nga Gjykata e Apelit e Shkupit është Lidija Dimçevska, nga Gjykata e Apelit e Gostivarit është Shefajet Hajdari, nga Gjykata Themelore në Manastir është Antonio Jolevski, nga Prokuroria Publike në Shtip është Riste Bojaxhiski, kryetari i Gjykatës Themelore Shkupi 1, Ivan Xholev, kryetari i Gjykatës Themelore Shkupi 2 – Ilir Sulejmani, si përfaqësues i Odës së Avokatëve Aleksandër Tumanovski, profesoresha e Fakultetit “Justiniani i parë”, Gordana Llazhetiq, profesoresha e Universitetit të Evropës Juglindore, Besa Arifi, nga shoqata “Bluprint” është Zharko Haxhi Zafirov, nga Fakulteti i Sigurisë në Shkup është Miodrag Llaboviq, avokatët Zvonko Davidoviq dhe Ibrahim Bajrami, përfaqësuesja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Magdalena Nestorovska dhe përfaqësuesja nga Ministria e Financave, Marija Mitevska si dhe prokurori publik Xhelal Bajrami. (koha.mk)