Paris, 26 tetor – Sipas Institutit për shëndet publik të Francës, fundjavën e kaluar rreth 100.000 raste të reja u zbuluan në vend për dy ditë, por sipas kryetarit të Këshillit shkencor francez Zhan-Fransoa Delfresi, duke marrë parasysh numrin e rasteve të padiagnostikuara, numri i të infektuarve mund të jetë dy herë më i lartë.
Sipas shifrave të Institutit për shëndet publik të Francës, të publikuara të dielën, 25 tetor, më shumë se 52.000 raste të reja janë zbuluar në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të njerëzve të infektuar me koronavirus në 1.138.507 në Francë. Numri i infeksioneve ditore u rrit për 6.588 raste krahasuar me ditën e shtunë, kur numri i testeve pozitive ishte tanimë i larti që nga fillimi i pandemisë.
Dy të tretat e francezëve fundjavën e kaluar iu nënshtruan orës policore gjatë natës, të vendosur në 54 departamente dhe Polinezi për të ndaluar përhapjen e virusit, i cili tashmë ka marrë jetën e më shumë se 34.500 personave në vend.
Zhan Rotner, kryetari i rajonit të Grand Est, është i bindur se kufizimet do të shkojnë më tej, ai tani po flet për masa të reja të izolimit të plotë.
“Jam i sigurt se po shkojmë drejt izolimit (karantinës), por prapë ‘ndryshe nga izolimi i parë’”, shkroi ai në Tuiter.
Ai më vonë për “BFM” saktësoi se akuza buronte “kryesisht nga intuita [e tij] personale si mjek” dhe publikimi i të dhënave më të fundit: “ishte i pamëshirshëm. E gjithë Evropa është goditur thellësisht, veçanërisht vendi ynë”.
I pyetur në radio “RTL”, kryetari i Këshillit shkencor Zhan-Fransoa Delfresi, nga ana e tij, e përshkroi situatën si “shumë të vështirë dhe madje kritike”, duke pranuar se ai ishte “i befasuar nga brutaliteti i asaj që ka ndodhur gjatë 15 ditëve të fundit”. “Kjo valë e dytë me siguri do të jetë më e fortë se e para”, paralajmëroi ai.
“Me siguri ka më shumë se 50.000 raste në ditë. Këshilli shkencor vlerëson se jemi afërsisht 100.000 raste në ditë. Ndër rastet e diagnostikuara, rastet që nuk diagnostikohen, rastet asimptomatike. Jemi rreth këtij numri. Ne kemi virus që po qarkullon jashtëzakonisht shpejt”, shtoi ai.
Dhe, nëse Franca do të duhet të kalojë nëpër karantinë, kjo do të jetë “afatshkurtër” dhe “më e lehtë sesa ishte marsi i kaluar”, tha ai, duke shtuar se aktivitetet ekonomike dhe shkollore nuk do të pushonin së punuari dhe mësuari në distancë. Vendimi për masat e reja kufizuese mund të pritet në mbledhjen e nesërme të Këshillit për mbrojtje.