Omer XHAFERI
Shkup, 23 korrik – Këshilli i formuar për reforma në sistemin gjyqësor në Maqedoni nuk do të ketë autorizime ekzekutive, por do të funksionojnë si trup këshillëdhënës në kuadër të vetë Ministrisë së Drejtësisë. Këtë në një prononcim për gazetën KOHA e konfirmon ministri Drejtësisë, Bilent Saliji. Ai më tej thekson se formimi i këtij Këshilli fatkeqësisht në opinionin ka marrë konotacion të gabuar. Këshilli për reforma në sistemin gjyqësor me vendim të Ministrisë së Drejtësisë u formua me 17 korrik, ndërsa ekipin prej 22 anëtarëve do ta përbëjnë gjykatës, përfaqësues të Ministrisë, profesorë universitar dhe anëtarë të tjerë të cilët gjatë periudhës së kaluar e kanë dëshmuar vetën në aspektin profesional. “Në këtë Këshill bëjnë pjesë njerëz, për të cilët unë vetë kam vlerësuar se ato mund ta japin kontributin e vet si jurist, nga përvojat të cilat i kanë pasur në të kaluarën. Mes tjerash, ne kemi pasur parasysh që ky Këshill të përbehet nga një numër i konsiderueshëm i bartësve të institucioneve gjyqësore, duke e përshirë edhe Avokatin e Popullit, profesorët universitarë, gjykatës dhe kryetarë nga gjykata të ndryshme, e kështu me radhë. Zgjedhja e anëtarëve të këshillit nuk është bërë në baza të përkatësive etnike, por qëllimi jonë ka qenë që ato në radhë të parë të jenë bartës të institucioneve relevante”, tha ministri Saliji për gazetën KOHA. Fuqia ekzekutive e këtij Këshilli, siç thonë nga vetën Ministria e Drejtësisë, nuk ekziston, por ata kanë sqaruar se kryesisht bëhet fjalë për organ këshillëdhënës. Formimi i Këshillit për reforma në sistemin gjyqësor dhe përbërja e tij, sipas ministrit Bilent Sali, është bërë me qëllim dhënien e ndihmës për Ministrinë e Drejtësisë dhe Qeverinë në përgjithësi, e cila ka paralajmëruar reforma rrënjësore në sistemin gjyqësor. Në mesin e 22 anëtarëve të këtij Këshilli, krahas ministrit Bilent Saliji, gjenden edhe profesorët universitar Besa Arifi dhe Mersim Maksuti, kryetari i Gjykatës Civile të Shkupit, Ilir Sulejmani, kryetari i Shoqatës së Gjykatësve, Xhemali Saiti, gjykatësi në Gjykatën Supreme, Faik Arsllani, pastaj nga Gjykata Administrative është zgjedhur gjykatësi Burim Sejdini, respektivisht edhe kryetari i Gjykatës së Apelit në Gostivar, Shefajet Ajdari. Nga ana tjetër, prej emrave më eminent që janë pjesë Këshillit të ri për reforma në gjyqësor janë dy ish gjykatës të Gjykatës së Strasburgut, Margarita Caca-Nikollovska dhe Mirjana Llazarova-Trajkovska. Ndërkohë, nga Fakulteti Juridik i Shkupit janë zgjedhur profesorët Borçe Davitkovski, Gordan Kallajxhiev dhe Ljubomir Fërçkovski. Ndryshe, ministri Bilent Sali, ka thënë se çdo ministër i mëhershëm po edhe ai, kanë të drejtën ligjore që rreth vetës të tubojnë njerëz për të cilët konstatohet se mund t’i ndihmojnë në zbatimin e projekteve që pasojnë. Brenda kësaj jave, Këshilli për reforma në sistemin gjyqësor pritet ta ketë takim e parë, ku ministri Sali, tha se do t’i dëgjon nga afër sugjerimet dhe propozimet e anëtarëve. Meqë përbërja e këtij Këshilli nuk është ekzekutive, i njëjti ndërkohë mund të pësoj ndryshime në përbërje, gjegjësisht kjo e drejtë diskrete i takon personalisht ministrit. Formimi i Këshillit për reforma në sistemin e drejtësisë është pjesë e planit qeveritarë “369”.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara