Në Këshillin e Komunës së Tetovës është tentuar që të mos bëhet shumë politikë por të sillen vendime në të mirë të qytetarëve. Janë evidentuar shumë të arritura në sferën e arsimit,kulturës dhe menaxhimit me resurset e ndryshme në kompetencë të komunës
Urim HASIPI
Tetovë, 3 dhjetor – Tash më në disa seanca me radhë këshilli i komunës po funksionon normalisht. Përderisa në fillim nuk dihej se fati se do të shkohet në zgjedhje apo jo për shkak se BDI-ja dhe LSDM-ja nuk arrinin të krijonin shumicën, pak para skadimit të afatit Këshilli i komunës së Tetovës arriti që të ketë një shumicë deridiku stabile, shkruan gazeta KOHA. Kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Bekim Memeti, shprehet i kënaqur me punën e deritanishme të 31 këshilltarëve në këtë Këshill. Ai e vlerëson punën e këshillit të suksesshme.
“Mund të them se deri më tani, jam i kënaqur me punën e këshillit dhe me qasjen e këshilltarëve. Dihet se në Këshill shpesh herë sillen vendime që kanë të bëjnë me përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe drejtpërdrejt vendimet prekin interesin e qytetarëve. Në bazë të bilancit të punëve të realizuara brenda 10 muajve të vitit 2018, mund të konstatojmë se e gjithë ajo që ishte e planifikuar për punën me Programin e këshillit të komunës është realizuar në tërësi”, thotë Memeti. Sipas tij, në këshillin e komunës së Tetovës është tentuar që të mos bëhet shumë politikë por të sillen vendime në të mirë të qytetarëve.
“Unë personalisht si kryetar i këshillit jam shumë i kënaqur edhe me bashkëpunimin me grupet tjera të këshilltarëve dhe kemi një bashkëpunim të mirë sepse vendimet shpesh herë sillen në mënyrë unanime. Po ashtu, dua të nënvizoj se shpesh herë edhe ka patur vendime që nuk janë miratuar me kërkesë të këshilltarëve të opozitës por edhe ata kanë përkrahur vendimet e shumicës. Pra, tentojmë të jemi unik në vendime dhe nisemi prej atij parimi sa më pak politikë, më shumë punë”, tha Memeti.
Ai në raportin për punën njëvjeçare të tij nënvizon shumë të arritura si në sferën e arsimit, kulturës dhe menaxhimit me resurset e ndryshme në kompetenc të komunës.
“Në fushëveprimin e angazhimit të këshillit janë shqyrtuar edhe shumë çështje në fushën e urbanizmit.Gjithsej janë miratuar 6 vendime për Plane Detale Urbanistike (PDU), vendime për përputhjen e objekteve pa leje në dokumentacionin urbanistik planor, Programi i përpunimit të planeve urbanistike të komunës së Tetovës për vitin 2018 “, shton më tej Memeti. Sipas tij, janë sjellur vendime edhe për zgjerimin e bulevardeve, rrugëve të reja por edhe vendime që kanë të bëjnë me ridestinimin e mjeteve për projekte më të mëdha sa i përket makinierisë për grumbullim të mbeturinave.
“Kemi sjellur vendim për ridestinim ie mjeteve grant nga IPA për financimin e projektit për “furnizim të automjetit të posaçëm komunal për grumbullimin e mbeturinave dhe kontejnerëve për mbeturina në vlerë 7 milionë denarëve. Është sjellur vendim për plotësimin e programit të sektorit të zhvillimit ekonomik lokal për promovim dhe zhvillim të turizmit në Komunën e Tetovës me projekte të reja të cilët paraqesin prioritet për interesat e qytetarëve të Tetovës”, nënvizoi ai. Gjatë vitit 2018 gjithsej janë mbajtur 12 mbledhje, prej të cilëve 11 kanë qenë mbledhje të rregullta, një mbledhje solemne me rastin e ditës së komunës. (koha.mk)