Shkup, 2 nëntor – Këshilli i Prokurorëve Publikë i ka shqyrtuar dhe i ka dorëzuar në Qeveri opinionet për parashtresat e dorëzuara në shpalljen për zgjedhjen e Prokurorit publik të Republikës së Maqedonisë. Në kumtesën e shkurtër të Këshillit të Prokurorëve, theksohet se janë shqyrtuar aplikacionet e kandidatëve, të cilët kanë pasur dokumentacion të kompletuar dhe të rregullt dhe për ta janë dhënë arsyetime në formë të shkruar, të cilat sot janë parashtruar në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë. Në shpalljen për prokuror të ri publik shtetëror janë paraqitur 23 kandidatë. Konform ligjit, Qeveria në seancë duhet t’i shqyrtojë kandidaturat dhe opinionet e Këshillit të Prokurorëve Publikë dhe duhet të marrë vendim për njërin prej kandidatëve. Me pastaj vendimi shkon në Kuvend si propozim zgjidhje, ndërsa njëkohësisht dorëzohet edhe opinion i Këshillit të Prokurorëve Publikë. Për emërimin e prokurorit publik Kuvendi i RM-së vendos me shumicë të thjeshtë prej 61 votave. Mandati i prokurorit shtetëror publik është gjashtë vjet me të drejtë të emërimit të sërishëm. Prokurori i ri publik shtetëror duhet të vijë në vendin e Marko Zvërlevskit, i cili u shkarkua nga Kuvendi më 17 gusht të këtij viti. Deri në emërim të prokurorit publik, funksionin e përkohshëm e kryen Liljana Spasovska.