Këshilli i Prokurorëve Publikë i Republikës së Maqedonisë në seancën e sotme duhet të debatojë për dorëheqjen e kryetarit të Këshillit, Petar Anevski, i cili të martën e dorëzoi për shkaqe personale dhe familjare. “Anëtarët e Këshillit do të vendosin për dorëheqjen time të enjten. Nëse do ta pranojnë ose jo, ky është vendim i tyre. Pavarësisht dorëheqjes, edhe më tej mbetem në funksionin anëtar të Këshillit të prokurorëve publikë pasi që jam zgjedhur nga PPTH Manastir dhe do të vazhdoj me këtë funksion deri më 1 shtator nëse pranohet dorëheqja ime. Funksioni im skadon në vitin 2020 dhe i kam edhe tre vjet për ta përfunduar funksionin anëtar të Këshillit të prokurorëve publikë”, deklaroi Anevski para dy ditësh.
Ai tërhiqet nga funksioni i kryetarit, por edhe më tej mbetet anëtar i Këshillit. Petar Anevski u zgjodh kryetar i Këshillit të Prokurorëve Publikë prej 30 qershorit 2014. Por në krye të Këshillit erdhi nga Prokuroria e Lartë në Manastir.
Sipas Ligjit për Këshillin e Prokurorëve Publikë të RM-së, kryetari i Këshillit zgjidhet prej anëtarëve të Këshillit, prej radhëve të prokurorëve të zgjedhur publik, me shumicë votash prej numrit të përgjithshëm të anëtarëve me votim të fshehtë. Këshilli i Prokurorëve publik, në pajtim me ligjin duhet t’i numërojë 11 anëtarë.