Këshilli i prokurorëve publik sot do të mbajë mbledhje në të cilën do t’i shqyrtojë paraqitjet e parashtruara në konkursin për Prokuror Publik të Republikës së Maqedonisë. Pas mbledhjes, siç theksohet në kumtesë, Këshilli do të japë mendim për të gjithë kandidatët e paraqitur në konkurs që i përmbushin kushtet në pajtim me ligjin. Qeveria e RM-së më 20 tetor i parashtroi aplikimet e kandidatëve për prokuror publik në Këshillin e prokurorëve publik.
Në konkursin për prokuror publik të shtetit janë paraqitur 23 kandidatë. Këshilli i prokurorëve publik me kërkesë të Qeverisë në afat prej 15 ditëve duhet t’i parashtrojë mendim pozitiv apo negativ në formë me shkrim për të gjithë kandidatët e paraqitur në konkurs që i plotësojnë kushtet në pajtim me ligjin. Qeveria, ndërkaq, më pas, në Parlament parashtron propozim për emërim të prokurorit publik nga kandidatët e paraqitur, për të cilët Këshilli ka dhënë mendim pozitiv.
Në rast se Këshilli i prokurorëve publik në afat prej 15 ditëve nëse nuk jep mendim për kandidatët e propozuar, rrjedhin 15 ditë të reja. Nëse edhe atëherë nuk deklarohet, atëherë konsiderohet se mendimi i Këshillit është pozitiv. Nëse Këshilli për asnjërin prej kandidatëve nuk jep mendim pozitiv, atëherë Qeveria mund t’i propozojë Kuvendit ta përsërisë konkursin.
Qeveria në mbledhje i shqyrton kandidatët, përfshirë edhe mendimin nga Këshilli i prokurorëve publik të sjellë vendim për njërin nga kandidatët për të cilin paraprakisht ekziston mendim pozitiv nga Këshilli. Pas atij vendimi shkon në Kuvend si propozim vendim, ndërsa njëkohësisht parashtrohet edhe mendimi i Këshillit të prokurorëve publik. Për emërim të prokurorit publik Kuvendi i RM-së vendos me shumicë të thjeshtë prej 61 votave.
Mandati i prokurorit publik të shtetit është gjashtë vite me të drejtë të emërimit të sërishëm. Siç përkujton MIA, Prokurori i ri i shtetit duhet të vijë në vendin e Marko Zvërlevskit, i cili u shkarkua nga Kuvendi më 17 gusht të këtij viti. Deri në emërimin e prokurorit të ri publik, funksionin përkohësisht e kryen Liljana Spasovska.