Këshilli i komunës së Dibrës dhe komisionet të cilat funksionojnë në kuadër të së njejtës çdoherë punojnë në interes të së mirës së qytetarëve dhe zhvillimit të komunës në tërësi.
Këtë vlerësim e paraqiti kryetari i Këshillit të komunës së Dibrës. Bashkim Mashkulli.
“Këshilli numëron 15 anëtarë. Të njejjtit janë nga parti të ndryshme politike dhe të përkatësisë së ndryshme etnike. Deri më tani kemi mbajtur 49 mbledhje në të cilat janë sjellur shumë vendime dhe zgjidhje. Por, ajo që është më me rëndësi është fakti se të gjithë këshilltarët, çdoherë gjatë miratimit të çfarëdo lloj dokumenti, para vetes i kanë pasur interesat e qytetarëve dhe komunës në tërësi”, vlerëson Mashkulli.
I pari i këshilltarëve dibranë, thekson se harmonia e njejtë, mirëkuptimi dhe përcaktimi për të vendosur në interes të qytetarëve sundon edhe në punën e komisioneve të formuara nga Këshilli.
“Dhjetë komisionet pranë Këshillit punojnë në funksion të sjelljes së secilit vendim apo dokument tjetër nga ana e këshillit. Në to bëjnë pjesë këshilltarë, por shumica janë persona profesionistë-ekspertë nga fusha adekuate”, thekson Mashkulli.
Mes tjerash, në kuadër të këshillit ekzistojnë, komisioni për statut dhe rregulla, komisioni për financa, buxhet dhe zhvillim ekonomik lokal, komisioni për urbanizëm, veprimtari komunale dhe mbrojtje të mjedisit jetësor, për veprimtari shoqërore, për çështje të mandatit, zgjedhje dhe emërime, më pas komisioni për marrëdhënie ndërmjet bashkësive, si dhe barazi gjinore.