Këshilli i BE-së do të debatojë për Maqedoninë dhe Ballkanin Perëndimor

Ministrat e punëve të jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, sot në Bruksel do ta shqyrtojnë situatën në Republikën e Maqedonisë dhe vendet tjera nga Ballkani Perëndimor dhe do të sjellin konkluzione të cilat pastaj shefat e shteteve dhe qeverive të vendeve të BE-së do t’i miratojnë në Samitin e Këshillit Evropian të enjten.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini, sot pasdite do t’i informojë shefat e diplomacive të vendeve të BE-së për situatën në Ballkanin Perëndimor pas vizitës së saj në shtetet e rajonit javën e kaluar. Këshilli i sotëm i punëve të jashtme i Bashkimit Evropian, me të cilin udhëheq Mogerini, do të fillojë me seancë të përbashkët të ministrave të mbrojtjes dhe të punëve të jashtme të vendeve anëtare për zbatimin e strategjisë globale të BE-së në sferën e sigurisë dhe mbrojtjes. Këshilli pritet të sjell konkluzione për progresin e dakorduar nga ana e Këshillit Evropian më 15 dhjetor të vitit 2016, me ç’rast konkluzionet do të jenë bazë e raportit për Samitin e Këshillit Evropian më 9 dhe 10 mars.

Diskutimi do të shoqërohet edhe me mëngjes joformal pune të ministrave të mbrojtjes, që të mundësohen pikëpamje strategjike në politikën e përbashkët të mbrojtjes dhe angazhime në fqinjësinë e BE-së dhe siguria më e gjerë. Në mëngjes ministrat e punëve të jashtme do të bisedojnë për marrëdhëniet mes Bashkimit Evropian dhe Egjiptit me ministrin egjiptian të Punëve të Jashtme Sameh Hasan Shukri, si dhe ngjarjet politike, reformat ekonomike dhe rolin e Egjiptit në rajon. Në orët e pasditës, Këshilli do ta shqyrtojë situatën në Ballkanin Perëndimor, me ç’rast përfaqësuesja e lartë e BE-së do t’i informojnë ministrat për vizitën e saj në Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Serbi dhe Republikën e Maqedonisë nga data 1 deri më 4 maj.

Këshilli i punëve të jashtme do të diskutojë edhe për migrimin si vazhdim i takimit joformal të shefave të shteteve dhe qeverive në Maltë më 3 shkurt të vitit 2017, ku u diskutua për aspektet e jashtme të emigrimit. Ndërsa në fund të ditës, Këshilli do të bisedojë për procesin paqeruajtës në Lindjen e Afërt, që të bëhet kontroll i ngjarjeve të fundit dhe kontakteve, mes të cilave edhe me administratën e re amerikane. Këshilli gjithashtu, do të përqendrohet edhe në situatën e Republikës Demokratike të Kongos, ndërsa do të sillen konkluzione edhe për diplomacinë klimatike dhe energjetike të BE-së. Këto konkluzione do të jenë pjesë nga zbatimi i strategjisë globale të BE-së dhe janë dedikuar për përforcimin e sinergjive mes diplomacisë së BE-së për klimën dhe energjinë dhe vendosjen e prioriteteve për vitin 2017.