Shkup, 21 tetor – Këshilli i Ambasadorëve sot përmes kumtesës e përshëndeti tërheqjen e Projektligjit për Punët e Jashtme nga procedura parlamentare nga Ministri aktual i Punëve të Jashtme.
Ju kujtojmë se në dhjetor 2019, në debatin e parë publik, Këshilli i Ambasadorëve i paraqiti pikëpamjet e tij mbi Projektligjin për Punët e Jashtme, duke theksuar se është një tekst shumë i komplikuar, në disa segmente në kundërshtim me disa dispozita të Konventës së Vjenës të vitit 1961 për Marrëdhëniet Diplomatike.
“Këshilli i Ambasadorëve edhe një herë e afirmon qëndrimin e tij se Projektligji për Punët e Jashtme synon të kënaqë kombinatorikat dhe orekset e personelit ndërpartiak në një kohë shumë të ndjeshme dhe në një fushë gjithashtu të ndjeshme siç është diplomacia. Projekt-teksti i Ligjit për Punët e Jashtme, tashmë i tërhequr nga procedura Parlamentare, kishte për qëllim krijimin e një qeverie të centralizuar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të asaj kohe me një grup njerëzish me të njëjtin mendim dhe në disa segmente ishte shumë më poshtë se cilësia e Ligjit për MPJ-në i cili është ende në fuqi. Këshilli beson se vendi ynë, pas tridhjetë vjet diplomacie të pavarur, duhet të bëjë përpjekje për ta forcuar shërbimin e tij diplomatik për nga cilësia në tërësi. Ky shërbim delikat nuk mund dhe nuk duhet të jetë instrument i një numri të kufizuar diplomatësh, veçanërisht për shkak të faktit se vendi përballet me sfida të mëdha në rrugën e tij drejt integrimit evropian”, theksohet në kumtesën e Këshillit të Ambasadorëve.
Në të njëjtën kohë, e kujton Ministrin aktual të Punëve të Jashtme se Këshilli i tyre përbëhet nga diplomatë të shquar të rangut më të lartë, të cilët e përfaqësuan vendin tonë jashtë vendit në dritën më të mirë dhe veçanërisht në momentet më të vështira të pavarësisë, ndërsa si diplomatë me karrierë morën pjesë në hartimin e shumë akteve në MPJ, përfshirë Ligjin aktual për Punët e Jashtme. Për këto arsye, Këshilli i Ambasadorëve, siç theksojnë, pret që edhe anëtarët e tij të përfshihen në Komisionin e sapoformuar për hartimin e një Ligji të ri për MPJ-në.