Shkup, 27 mars – Transparenca, përgjegjësia dhe efektiviteti të cilat ishin lëndë e monitorimit të punës së Këshillit Gjyqësor të RM-së nuk janë në nivel të kënaqshëm, edhe pse në periudhën më të vonshme të monitorimit u pa përparim në implementimin e këtyre standardeve.
Kjo është e bërë e ditur në përfundimet dhe rekomandimet nga Analiza për transparencë, përgjegjësi dhe efektivitetin e punës së Këshillit Gjyqësor të RM-së, si dhe përfundimet nga raporti i pestë tremujor për punën e Këshillit Gjyqësor për periudhën e dhjetorit të vitit 2017 deri në mars të vitit 2018 të Institutit për të Drejtat e Njeriut.
“Transparenca e Këshillit Gjyqësor është më shumë formale se sa thelbësore, deklaroi kryetarja e Institutit për të Drejtat e Njeriut Margarita Caca Nikollovska para mbajtjes së konferencës përfundimtare dhe diskutimit në temën ” Çfarë Këshilli Gjyqësor i nevojitet shoqërisë në Maqedoni?”.
Sipas saj është e nevojshme që të mundësohet transparencë thelbësore mes të tjerash edhe përmes gazetarëve.
“Komunikimi me publikun, i cili mund të realizohet edhe përmes gazetarëve, të jetë thelbësor, që të mundet opinioni në mënyrë përkatëse ta vlerësojë punën e Këshillit Gjyqësor”, tha Caca Nikollovska.
Theksoi se moszgjidhja, pa shpjegim të kryetarëve të Gjykatave, të gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit Shkup dhe në Gjykatën Supreme të RM-së nga kandidatët e paraqitur në konkurset e publikuara është reflektim i punës joefikase dhe joefektive të Këshillit Gjyqësor.
Në kontest të kësaj Caca Nikollovska shtoi se, kjo edhe më shumë shihet nga ajo se menjëherë pastaj publikohet konkurs për plotësim të vendeve të njëjta.
Gjykatësja e Gjykatës Supreme të RM-së në pension, Vera Koco vlerësoi se në periudhën e kaluar Këshilli Gjyqësor nuk ishte në nivelin që pritej nga opinioni dhe qytetarët e Maqedonisë.
“Kjo ishte arsye për humbjen e besimit në organin më të lartë të pavarur gjyqësor që duhet të mundësojë dhe garantojë pushtet gjyqësor autonom dhe të pavarur”, tha Koco.
Ajo theksoi se Këshilli Gjyqësor më së shumti dështoi në transparencën, efikasitetin, efektivitetin dhe se përbërja e tillë e Këshillit kërkon reforma.
Ish gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese Igor Spirovski, mes të tjerash tha se anëtarët e Këshillit Gjyqësor kanë problem me kredibilitetin, para se gjithash me joaktivitetin në lidhje me raportin e sistemimit të lëndëve në AKMIS.
“Raporti i Komisionit të Ministrisë së Drejtësisë tani është në rend të ditës të Këshillit Gjyqësor dhe çështja është se çka do të bëjë ai, nëse tani konfirmohet përgjegjësia e kryetarëve të gjykatave dhe gjykatësve për manipulime me AKMIS-in dhe si ajo mund ta bëjë atë kur është pjesë e krijimit të atij problemi”, tha Spirovski.
Kryetari i Këshillit Gjyqësor Zoran Karaxhovski tha se nuk pajtohet me kritikat e nxjerra në përfundimet për punën e Këshillit Gjyqësor.
“Duhet të bëhet analizë krahasuese dhe të shihet se cili Këshill gjyqësor në Evropë është më transparent dhe atëherë do të bisedojmë se në cilin vend është Këshilli Gjyqësor i RM-së në lidhje me transparencën”, tha Karaxhovski.
Në kontekst të asaj shtoi se nga analizat krahasuese që personalisht i ka bërë, Karaxhovski tha se Këshilli Gjyqësor i RM-së gjendet në një nga vendet më të larta, ndërsa pjesa më e madhe e Këshillave të tjerë gjyqësor janë shumë pak transparentë ose nuk janë aspak transparentë.
Ambasadori britanik Çarls Garet potencoi se qeverisja e të drejtës është bazë e gjithçkaje që e bën një shoqëri, stabile, korrekte dhe prosperuese. Ajo, tha Garet, është bazë për sigurinë tonë dhe për rendin e saktë të themeluar të rregullave ndërkombëtare pa të cilin bota do të ishte më e pasigurt dhe më e rrezikuar.
“E vërteta është se të gjithë gjykatësit, prokurorët, avokatët…e dinë çka është ajo që duhet ta bëjnë. Për atë duhet të inkurajohen ta bëjnë atë. Duhet t’u gjenden mjete se si ta bëjnë atë me qëllim që të munden të japin rezistencë të presionit jolegjitim. E njëjta vlen për tërë sektorin publik”, theksoi ambasadori Garet.