Laura PAPRANIKU
Shkup, 30 nëntor – Niveli i arsimit të lartë pritet të ketë në të ardhmen një hallkë të re në zinxhirin e institucioneve që rregullojnë në përgjithësi punën e universiteteve, instituteve dhe palëve tjera të interesit, shkruan gazeta KOHA. I konceptuar si urë lidhëse, në mes të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) dhe të gjithë aktorëve pjesëmarrës në nivelin e arsimit të lartë, Këshilli Kombëtar i Arsimit të Lartë (KKAL) pritet të nisë punën jo më larg se shtatori i vitit të ardhshëm. Nëse në muajt janar-shkurt miratohet propozimi i Strategjisë Gjithëpërfshirëse të Arsimit 2018-2025, arsimi i lartë do të ketë një instrument të ri për rregullimin dhe korrigjimin e mangësive që aktualisht janë evidente në sferën arsimit të lartë.
Për njohësit e çështjeve arsimore, themelimi i një institucioni të këtillë, që në Strategji është emëruar si Këshill Kombëtar i Arsimit të Lartë (KKAL), është tregues i qartë për seriozitetin me të cilin është ndërmarrë aktiviteti rreth ndryshmeve cilësore që pritet të ndodhin në sferën e arsimit në përgjithësi. Prof.dr. Avzi Mustafa, thotë se është koha e fundit që arsimi në përgjithësi, e sidomos ai i nivelit të lartë t’u nënshtrohet reformave rrënjësore, të cilat duhet të rezultojnë me më shumë mekanizma kontrolli dhe ndërmjetësimi mes të gjitha palëve (aktorëve) në sferën e arsimit të lartë. “Si asnjëherë deri më tani, arsimi i nivelit të lartë ka nevojë për ndryshime të mirëfillta”, shprehet për KOHA, Mustafa, ndërsa vërën se themelimi i një institucioni si KKAL-ja, do të shërbejë mjaft mirë si mekanizëm për të korrigjuar devijimet dhe mangësitë që mund të paraqiten në punën dhe e veprimtarinë e të gjitha institucioneve që kanë të bëjnë me arsimin e lartë.
“Nga sa është parë në praktikën e deritanishme, reformat janë të domosdoshme në të gjitha hallakat e sistemit arsimor. Bazuar në paralajmërimet dhe propozimet e Strategjisë, duket se ndryshimet do të marrin rrugë të mbarë”, shprehet Mustafa, ndërsa nuk fsheh kuriozitetin e shtuar sa u përket propozimeve në sferën e arsimit të lartë. Autor i 30 botimeve shkencore dhe letrare, pedagogu tanimë në pension Mustafa, edhe pse nuk ka qenë i kyçur drejtpërdrejtë në përpilimin e Strategjisë 2018-2025, nuk e ka problem të shprehet pozitivisht për gjërat në dukje cilësore, sikurse e vlerëson në këtë rast propozimin për themelimin e KKAL-së. Por, pavarësisht kësaj, ai thotë se ky Këshilli duhet të jetë para së gjithash i pavarur, që të mund të shërbejë si urë lidhëse mes MASH-it dhe aktorëve të tjerë pjesëmarrës në komplet sistemin e arsimit të lartë. Prof. dr. Mustafa e sheh KKAL-në edhe në rolin e korrektuesit mes MASH-it dhe universiteteve, si në periudhën e përpilimit të ligjeve, ashtu edhe në fazën e zbatimit të tyre, por edhe të këshilluesit në rastet e paraqitjes së problemeve, kontesteve dhe mosfunksionimit të duhur të gjërave. “Me funksionimin e KKAL-së do të eliminohen mangësitë, të cilat janë momentalisht në ligjet e arsimit të lartë, në funksionimi e institucioneve kompetente, rregullimin e ofertës akademike me tregun e punës dhe kështu me radhë”, shprehet ai,
Sipas asaj që propozohet në Strategjinë 2018-2025, KKAL-ja nuk do të zëvendësojë punën e Këshillit për Akreditimin dhe Evoluimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe as punën e Konferencën Ndëruniversitare në Maqedoni. Përkundrazi, do të jetë një instrument i ri, i cili do të qëndrojë mbi të gjitha palët e interesit apo aktorët e deritanishëm të arsimit të lartë. Këshillimi i Akreditimit do të jetë gjithashtu në shënjestër të reformave, pasi kërkohet “përmirësimi shtesë i punës së Këshillit të Akreditimit dhe Evoluimit”, me qëllim të rritjes së kualitetit të arsimit të lartë. Paralelisht të gjitha reformave në arsimin e lartë, MASH do të duhet të del edhe me një propozim për përpilimin e një Ligji të ri. Ligji aktual, i nxjerr në vitin 2008, është ndryshuar dhe plotësuar plotë 21 herë. (koha.mk)