Një studim i bërë së fundmi sugjeron, që kërpudhat e përmirësojnë sistemin imunitar, shkruan Dailymail, transmeton Express.
Shkencëtarët kanë zbuluar, që disa lloje të kërpudhave mund ta përmirësojnë përgjigjen e qelizave të bardha të gjakut ndaj agjentëve të huaj. Ata për këtë studim kanë përdorur llojet e kërpudhave, të cilat kanë një përmbajtje të lartë të beta-glukanoideve. Beta-glukonoidet janë një lloj i karbohidrateve, të gjetura në muret e qelizave të kërpudhave.
Kur këto karbohidrate hyjnë në organizmin e njeriut, sistemi imunitar zhvillon një përgjigje më të shpejtë mbrojtëse. Beta-glukanoidet kanë një ndikim edhe në zvogëlimin e nivelit të kolesterinës në gjak si dhe reduktojnë rrezikun e prekjes nga sëmundjet kardiovaskulare.
Në studimin e bërë, shkencëtarët kanë bashkuar tre lloje të kërpudhave, dhe i kanë injektuar në qeliza të njeriut. Si rezultat këto kërpudha kanë stimuluar aktivizimin e makrofagëve, të cilat janë qeliza të bardha, që detektojnë dhe shkatërrojnë baktere dhe mikroorganizma të dëmshëm.
Produktet e përdorura në këtë studim janë rritur dhe kultivuar në Kinë si dhe shiten në markete, mirëpo fatkeqësisht deri tani nuk qarkullojnë nëpër tregje të tjera botërore. /Express