Ministria e Arsimit dhe Shkencës angazhohet për përfshirje sa më të madhe të sektorit të biznesit në realizimin e procesit arsimor, sepse ajo është mënyra më e mirë për të fituar njohuri praktike të aplikueshme dhe aftësi nga ana e nxënësve me çka ata do të jenë mirë të përgatitur për pjesëmarrje të suksesshme në tregun e punës menjëherë pas përfundimit të arsimit të mesëm
Remzije BILALLI
Shkup, 3 tetor – Vetëm dhjetëra kompani prej mbi 70 mijë firma në Maqedoni kanë marrëveshje dhe janë të përfshirë në arsimimin e të rinjve me arsim të mesëm. Mungesa e kuadrit profesional ndjehet me vite, ndërsa kompanitë tërë kohën theksojnë se është e vështirë të gjenden kandidatë që u përgjigjen nevojave të tyre, por, megjithatë një numër shumë i vogël i tyre kanë vendosur t’i marrin punët në duart e veta dhe të investojnë në njohuritë e të rinjve, shkruan gazeta KOHA.
Në vend, sipas të dhënave të fundit të Entit shtetëror të statistikave, në vitin 2018 kanë qenë të regjistruara 72.315 firma. Por drejtpërdrejtë me mbështetje edhe mësim praktik në arsimin e mesëm deri tani janë përfshirë mezi dhjetëra kompani. “Ministria e Arsimit dhe Shkencës angazhohet për përfshirje sa më të madhe të sektorit të biznesit në realizimin e procesit arsimor, sepse ajo është mënyra më e mirë për të fituar njohuri praktike të aplikueshme dhe aftësi nga ana e nxënësve me çka ata do të jenë mirë të përgatitur për pjesëmarrje të suksesshme në tregun e punës menjëherë pas përfundimit të arsimit të mesëm, ose të kishin bazë të mirë për avancim të mëtutjeshëm në ndonjë institucion të arsimit sipëror”, theksojnë nga MASH.
Prej aty pikërisht shtojnë se në këtë drejtim janë angazhimet për futjen e konceptit të arsimit të dyfishtë në të gjitha shkollat profesionale në vend. Përkatësisht, arsimi i dyfishtë është koncept i edukimit gjatë të cilit nxënësit mësojnë drejtpërdrejtë në vendin e punës, gjegjësisht kanë më shumë mësim praktik, me çka edhe aftësitë që i fitojnë kanë kualitative dhe të aplikueshme. “Ky koncept është relativisht i ri në vendin tonë. Ka filluar të implementohet prej vitit shkollor 2017/2018, kur u fut në shkollën e mesme elektroteknike “Mihaillo Pupin” në Shkup, në mbështetje me kompaninë cilësore partnere EVN “Maqedoni”. Nxënësit dikur prej një paralele, tani më shumë paralele shkojnë në trajnim praktik në kompani. Ata fitojnë edhe bursë nga EVN, ndërsa kompania obligohet për më të mirët, gjegjësisht nxënësit që fitojnë njohuri dhe aftësi, të ofrojë edhe punësim pas përfundimit të arsimit të mesëm”, theksojnë nga MASH. Nga Ministria shtojnë se tash më nga viti i kaluar shkollor, koncepti i arsimit të dyfishtë është futur edhe në dy shkolla të tjera profesionale, SHMK “Kiro Spanxhov Brko” në Kavadar dhe QSHKEM “Sv. Naum Ohridski” në Ohër. Në vitin shkollor 2019/2020 ka filluar të realizohet edhe në SHMK “Riste Risteski – Riçko” Prilep dhe SHMKT “Gjorgji Naumov” në Manastir, si dhe në SHMET Gostivar. Kompanitë të cilat kanë nevojë për kuadër të këtillë dhe drejtpërdrejtë janë përfshirë në bashkëpunim me shkollat janë “Drekselmaer” nga Kavadari, “Kostal”, “LTH shkritorja”, “ODV – elektrik” nga Ohri, “Kromberg dhe Shubert” nga Manastiri dhe “Genterm” dhe “Vitaminka” nga Prilepi.
“Kompanitë të cilat përfshihen në realizimin e kësaj reforme marrin për obligim t’i mbulojnë harxhimet për rrugë, të sigurojnë ushqim të ngrohtë dhe kompensim në të holla për nxënësit derisa gjenden në trajnim praktik dhe, më e rëndësishme, t’u ofrojnë punësim pas përfundimit të arsimit. Ky koncept aplikohet në shumë vende më të zhvilluara, si Zvicër dhe Gjermani, dhe është treguar me të vërtetë i suksesshëm kur bëhet fjalë për përgatitjen e nxënësve në përfshirjen e proceseve të punës pas përfundimit të arsimit”, shpjegojnë nga MASH. Krahas përfshirjes së mësimit përmes arsimit të dyfishtë, këtyre ditëve MASH së bashku me kompaninë EVN kanë promovuar edhe platformën për mësim digjital, të cilin e përdorin nxënësit e klasave në Shkup dhe Gostivar. Sistemi për menaxhim me mësimin, Kanavas, duhet t’u ndihmojë mësimdhënësve të fusin inovacione në të mësuarit, ndërsa nxënësit të arrijnë rezultate më të mira. “Ishim të parët që u futëm në promovimin e arsimit të dyfishtë dhe tani jemi të parët në futjen e teknologjive moderne për edukim të nxënësve tanë. Synimi ynë është që standardet evropiane për edukim të jenë pjesë e edukimit në Maqedoni”, u shpreh kryetari i këshillit drejtues të EVN, Shtefan Peter.
Mësimi digjital është pjesë e projektit “20-20-20”, përmes të cilit EVN në shkollat elektroteknike në Shkup dhe në Gostivar formon kabinete dhe qendra trajnimi për edukimin e elektromontuesve dhe elektroteknikëve që pas përfundimit të arsimit të tyre dhe punës praktike në EVN do të fitojnë oferta për punë në kompani. Kabinetet në Gostivar dhe Shkup janë pajisur me pajisje më bashkëkohore dhe përgatitje dhe vegla mbrojtëse që i përdorin edhe montuesit gjatë punës së tyre të përditshme më terren. Me punën aty, të rinjtë edukohen, mbajnë punë praktike dhe trajnohen sipas standardeve evropiane. Platforma “20-20-20”ka filluar në shkollën e Shkupit “Mihaillo Pupin” në vitin 2017. Tash më gjenerata e tretë e nxënësve që përfundojnë arsimin do të fitojnë oferta për punë në EVN dhe pagesë prej 20.000 den.
Nga ministria theksojnë se shumë shkolla profesionale zhvillojnë bashkëpunim me sektorin e biznesit me iniciativë të tyre ose të kompanive, ndërsa e gjithë kjo në interes të nxënësve dhe krijimit të fuqisë kualitative punëtore. Nga aty thuhet se ka shumë shembuj për bashkëpunime të këtilla. “Një shkollë mund të bashkëpunojë jo vetëm me një por me më shumë kompani, varësisht nga numri i nxënësve, varësisht nga profilet arsimore që i ofron dhe të ngjashme. Ministria e Arsimit dhe Shkencës absolutisht mbështetë aktivitetet e këtilla dhe inkurajon ato bashkëpunime të intensifikohen edhe më shumë dhe numri i tyre të rritet”, shtojnë nga MASH. (koha.mk)