Mungesa e fuqisë punëtore me kohë është alarmuar nga biznesi, mirëpo mbetet të shikohet sa “importimi” i saj nga jashtë, do të tregohet i suksesshëm në periudhën e ardhshme. Si një nga mënyrat për zbutjen e këtij problemi përflitet së fundmi edhe importi i punëtorëve nga shtete aziatike me standard më të ulët jetësor se rajoni si Bangladeshi, Pakistani, Nepali
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 24 mars – Kërkojmë punëtorë. Ky lajmërim kohëve të fundit po shihet shpesh në dyert e dyqaneve të ndryshme por edhe bizneseve të tjera në Shkup, por edhe qytetet e tjera në Maqedoninë e Veriut. Njoftimet e tilla hasen në veprimtari të ndryshme ekonomike, jo vetëm në tregti, restorante, por edhe në rrobaqepësi, ndërtimtari dhe sektorë të tjerë. Njëherësh në vend me vite edhe ofrohen 8-10 mijë vende pune që shpesh mbeten vakante, përkundër 100 mijë të papunëve.
Mungesa e fuqisë punëtore me kohë është alarmuar nga biznesi, mirëpo mbetet të shikohet sa “importimi” i saj nga jashtë, do të tregohet i suksesshëm në periudhën e ardhshme. Si një nga mënyrat për zbutjen e këtij problemi përflitet së fundmi edhe importi i punëtorëve nga shtete aziatike me standard më të ulët jetësor se rajoni dhe Maqedonia, si Bangladeshi, Pakistani. Përvojat e shteteve të rajonit flasin se në Kroaci për shembull ky proces ka rezultuar më i suksesshëm sidomos kur bëhet fjalë për një ardhje të mirë organizuar të punëtorëve të pajisur me dokumente të rregullta pune nga Filipinet, ndërsa në Shqipëri raportohet se ky proces nuk po shkon ashtu siç u trumbetua nga kompanitë private, pasi një pjesë e këtyre punëtoreve që vijnë nga vendet e botës së tretë e përdorin Shqipërinë për të ikur drejt vendeve të BE-së.
Në ndërkohë, nga Organizata e Punëdhënësve të Maqedonisë thonë se disa kompani vendore janë në negociata për të sjellë punëtorë nga shtetet aziatike në Maqedoni si përgjigje ndaj kërkesave të bizneseve. Angel Dimitrov nga kjo organizatë thotë se në disa shtete të Lindjes së Mesme dhe të Largët, paguhen paga edhe prej 115 euro, apo tre herë më pak se tek ne, ndërsa ndodh që edhe kushtet e punës dhe jetesës janë shumë më pak të favorshme karshi ato në Maqedoni. Ai shton se po bisedohet për ardhjen e punëtorëve nga Nepali, Bangladeshi, Pakistani dhe Indonezia. “Pas largimit të rinjve drejt perëndimi, ne po Bottom of Formmbetemi pa punëtorë, ekonomia dalëngadalë do të rrënohet dhe buxheti do të mbetet pa para. Andaj nevojitet të ndërmerret një hap i tillë dhe shteti duhet të përgatitet që tani për ardhjen e punëtorëve nga jashtë”, thekson Dimitrov. Sipas tij, nuk do të mjaftojë vetëm “importi “ i punëtorëve nga jashtë, por nevojitet që shteti të ulë harxhimet e tij. Ai sugjeron të ulet numri i deputetëve në Parlament dhe numri i ministrave në Qeveri, si dhe numrin e të punësuarve në administratën publike, për shkak se në të ardhmen nuk do të ketë para për të gjithë.
LEHTËSIME PËR PUNËTORËT NGA JASHTË
Nga ana tjetër edhe përfaqësues të tjerë të biznesit kërkojnë ndihmesë nga qeveria për zbutjen e problemit me mungesën e punëtorëve në tregun e punës, duke filluar me liberalizimin e tregut të punës. Për më tepër shtojnë se gjendja me tregun e punës në Maqedoni është shumë alarmante, sepse të rinjtë tanë po shkojnë jashtë vendit. “Prioritet i Qeverisë duhet të jetë liberalizimi i tregut të fuqisë punëtore me rajonin, eliminimin e barrierave të cilat pengojnë importin e tyre nga vendet tjera, përshtatja e kuotave me nevojat e tregut, sidomos për sektorin e ndërtimtarisë, turizmit dhe hotelerisë”, thotë kryetari i Odës ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Mendi Qyra. Sipas tij, duhet të rriten kuotat për importin e fuqisë punëtore edhe nga Azia, sepse në vend ka mungesë të fuqisë punëtore. Para se të bëhet kjo, shtoi ai, duhet të shfrytëzohen të gjitha kapacitetet që i posedojnë në vend.
“Agjencia e punësimit duhet të jetë më e përditësuar dhe ata që janë të regjistruar si të papunë duhet t’i bashkohen fuqisë punëtore dhe të punësohen nga kompanitë që kërkojnë punëtorë. Gjithashtu vendi ynë dita-ditës mbetet pa fuqi punëtore, ndonëse në tre vitet e fundit janë diplomuar rreth 15 mijë studentë, por fatkeqësisht ata ikin jashtë vendit”, thekson Qyra.
SUKSESI BULLGAR
Në ndërkohë fqinji i jonë lindor, Bullgaria veçmë ka një përvojë më të madhe se ne me ardhjen e punëtorëve nga shtetet aziatike. “Këta njerëz kanë një mentalitet paksa të ndryshëm. Ata vijnë nga vendet myslimane, kultura e tyre nxit respektin për punëdhënësin dhe shefin. Dhe ata kanë nivele shumë më të larta të disiplinës. Atyre u mungon përvoja, por kolegët biznesmenë më kanë thënë se këta njerëz janë të kënaqur me atë që marrin këtu”, thotë Krassen Krastev, president i Prodhuesit të pjesëve plastike dhe montazheve Meçalit Bulgaria, për revistën bullgare Kapital.
Opinioni i gjerë mund ta shohë atë ekzotike, por nga janari deri në fillim të tetorit 2022, uzbekët morën pothuajse 830 leje për të punuar në Bullgari, shkruan revista. Sipas ligjit bullgar, leje të tilla janë të vlefshme deri në tre vjet, kohë gjatë së cilës investimi i kompanisë marrëse te punëtorët mund të shpërblehet. Investimi janë paratë për dokumente dhe viza, transport, akomodim, faturat e shërbimeve dhe trajnime, ndër të tjera. Uzbekistani dhe Kirgistani kanë qenë ndër vendet më të preferuara të punës së pakualifikuar në Bullgari gjatë viteve të fundit. Njerëzit nga këto ish-republika sovjetike kanë interes të vijnë këtu. Shumica e tyre flasin rusisht, gjë që e bën më të lehtë komunikimin dhe kushtet e punës në Bullgari janë tërheqëse për ta.
Në vitin 2020, Prodhimi i Brendshëm për kokë banori në Uzbekistan ishte gjashtë herë më i ulët se në Bullgari, ndërsa në Kirgistan ishte 8.5 herë më e ulët. Paga mesatare mujore në Uzbekistan është 120 euro, apo një e pesta e nivelit në Bullgari. Gjithashtu rreth 10 për qind e stafit të zinxhirit më të madh të restoranteve në Bullgari, Happy, janë të huaj, kryesisht nga Kirgistani, Uzbekistani, Turqia dhe Ukraina.
Sipas Aglika Adamova, e cila është përgjegjëse për burimet njerëzore në Happy, ata përballen njësoj si pjesa tjetër e stafit, thotë se në përgjithësi, importi i fuqisë punëtore nga vendet jo anëtare të BE-së është duke u bërë praktikë e zakonshme në Bullgari për industritë që mbështeten në fuqi punëtore me kualifikim të ulët. “Faktorët që nxisin procesin janë përkeqësimi i situatës së popullsisë në Bullgari, emigracioni i vazhdueshëm i bullgarëve në moshë të aftës për punë dhe kualifikimet në rritje të fuqisë punëtore vendase, e cila kërkon një lloj tjetër punësimi”, shprehet ajo. Adamova shton se praktika e importimit të fuqisë punëtore nga vendet jashtë BE-së është bërë më e përhapur gjatë pesë viteve të fundit, sepse legjislacioni është më liberal se në periudhat e mëparshme. Fuqia e punës e pakualifikuar dhe me kualifikim të ulët importohet në Bullgari nëpërmjet shërbimeve të rreth 30 agjencive të personelit. Shumica e këtyre agjencive punojnë me ndërmjetës vendas. Përveç sigurimit të kontakteve me punëkërkuesit, ato ndihmojnë gjithashtu në rregullimin e dhënies së lejeve të nevojshme, që është një proces i gjatë dhe i rëndë që zgjat të paktën disa muaj.
PAGAT E ULËTA NË SHTETET AZIATIKE
Të dhënat statistikore tregojnë se paga mesatare në Bangladesh është 160 dollarë. Më 1 Mars 2023, në ndërmarrjet mikro me deri në 15 punonjës, paga mesatare është 94 dollarë, në bizneset e vogla me deri në 100 punonjës – 140 dollarë dhe në ndërmarrjet e mesme me më shumë se 100 punonjës, 170 dollarë. Në ndërmarrjet e mëdha në Bangladesh me më shumë se 250 punonjës, paga është 220 dollarë. Në sektorin publik në Bangladesh, paga mesatare është 120 dollarë. Paga mesatare në fushën e teknologjisë së informacionit në Bangladesh është nga 120 dollarë deri në 290 dollarë.
Paga mesatare e hotelerisë dhe restoranteve e në Bangladesh është nga 95 dollarë dhe deri në 170 dollarë. Paga mesatare në Pakistan është 210 dollarë. Më 1 mars 2023, paga mesatare në Pakistan në ndërmarrjet mikro me deri në 15 punonjës, është 120 dollarë, në bizneset e vogla me deri në 100 punonjës – 180 dollarë dhe në ndërmarrjet e mesme me më shumë se 100 punonjës, 230 dollarë. Në ndërmarrjet e mëdha në Pakistan me më shumë se 250 punonjës, paga është 290 dollarë. Në sektorin publik në Pakistan, paga mesatare është 160 dollarë. Paga mesatare në fushën e teknologjisë së informacionit në Pakistan është nga 160 dollarë deri në 380 dollarë. Paga mesatare në sektorin e ushqimit dhe restoranteve është nga 130 dollarë deri në 220 dollarë.
Në Nepal, paga mesatare është 270 euro. Në ndërmarrjet mikro me deri në 15 të punësuar, paga mesatare është 160 dollarë, në bizneset e vogla me deri në 100 punonjës – 240 dollarë dhe në ndërmarrjet e mesme me më shumë se 100 punonjës, 300 dollarë. Në ndërmarrjet e mëdha në Nepal me më shumë se 250 punonjës, paga është 380 dollarë. Në sektorin publik në Nepal, paga mesatare është 220 dollarë. Paga mesatare në fushën e teknologjisë së informacionit në Nepal është nga 210 dollarë deri në 500 dollarë. Paga mesatare në sektorin e ushqimit dhe restoranteve në Nepal është nga 170 dollarë deri në 290 dollarë. (koha.mk)