Kërkohet zbardhje e shpejtë e rastit “Zhavtje” dhe ligji duhet të vlejë njëjtë për të gjithë

Shkup, 17 korrik – Ruaja e integritetit të Prokurorisë Speciale Publike (PSP) është interesi parimor i prokurorëve dhe hetuesve në PSP, deklaroi dje prokurorja Lençe Ristovska në emër të ekipit të PSP-së. Veprimet e individëve, sipas saj, nuk i pasqyrojnë të gjithë në prokurori dhe nuk guxon t’i sjellë në pikëpyetje procedurat që janë zhvilluar deri më tani.

Apel për zbardhje më të shpejtë të rastit “Zhavtje”, por edhe respektim të prezumimit të pafajësisë kërkoi prokurorja e PSP-së, Lençe Ristovska në konferencën e djeshme për shtyp, që e thirri PSP-ja pasi Prokuroria publike e hapi rastin, u caktua paraburgim për Bojan Jovanovskin dhe Zoran Milevskin-Kiçaec të cilët dyshohen për zhvatje nga biznesmenët. Njëkohësisht, prokurorja speciale publike, Katica Janeva ka dhënë dorëheqje, ndërsa për shkak të hetimit iu mor telefoni celular.

“Ruajtja e integritetit të PSP-së është interesi parimor i prokurorëve dhe hetuesve në PSP”, deklaroi Ristovska në emër të ekipit të PSP-së, duke shtuar se qëndrojnë pas punës deri më tani të përfunduar dhe se të gjitha lëndët për të cilat veprojnë zhvillohet në mënyrë të ligjshme.

Kryeministri Zaev në një intervistë për MIA-s ishte i drejtpërdrejtë se ligji duhet të vlejë njëjtë për të gjithë pa marrë parasysh se për kë bëhet fjalë.

“Në këtë rast tashmë ka dy të dyshuar, ndërsa siç dëgjova nga mediat është konfiskuar edhe telefoni i prokurores speciale Katica Janeva që të konfirmohet nëse ekziston lidhje mes asaj dhe të dyshuarit të parë. Për shkak se bëhet fjalë për person me pozitë të lartë kjo jep motiv për çdo lloj spekulimi politik. Sipas meje, Prokuroria Publike duhet të tregojë nëse ajo është keqpërdorur në tërë procesin apo është e involvuar në këtë proces. Është korrekte të thuhet, sepse keqpërdoren çdo lloj argumentesh që dikush të bëjë konstruksione politike apo të ngjashme”, tha Zaev, transmeton Koha.mk

Shtoi se hapja e këtij rasti tregon se vendi ka sistem të organizuar i cili i kryen punën e vet.

“E respektojmë prezumimin e pafajësisë, por njëkohësisht të gjitha indicet dhe dëshmitë duhet të përpunohen deri në fund që të dëshmohet pafajësia apo faji i të gjithë atyre që kanë qenë të involvuar në hetimet, tha kryeministri Zoran Zaev në intervistë për MIA-n duke komentuar ngjarjet e fundit lidhur me hetimin e zbardhur “Zhavtje” në të cilin Bojan Jovanovski dhe Zoran Milevski dyshohen për reket ndaj një biznesmeni që të ndikojnë të lehtësohet procedura kundër tij ndaj një prokurori të caktuar publik.

Rasti u përputh me dorëheqjen e papritur të prokurores së posaçme Katica Janeva, e cila siç tha, dje prokurorja Vilma Ruskoska nuk është lëndë e hetimit, por megjithatë telefoni i saj celular është konfiskuar që të konfirmohet komunikimi eventual mes asaj dhe Bojan Jovanovskit.

Nga BDI thonë se të dëshpëruar shikojnë në ngjarjet e fundit dhe se theksojnë se si parti çdoherë kanë qenë kundër drejtësisë selektive.

“BDI-ja është armiku më i madh i drejtësisë selektive dhe nëse i ndiqni fjalimet e liderit Ali Ahmeti do të shihni se në çdo fjalim drejtësia selektive është si kancer i shoqërisë, sepse BDI-ja e propozoi ligjin për veting edhe në politikë dhe në gjyqësi, dhe te të gjithë bartësit e funksioneve publike”, tha Osmani.

Shtoi se institucionet duhet të hetojnë saktë çfarë ka ndodhur, cila është prapavija, dhe cilat kanë qenë pasojat, duke theksuar se BDI-ja mbetet në qëndrimin se vendi ka nevojë nga institucioni i cili do të fokusohet në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë në politikë.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski megjithatë kërkoi paraburgim për Janevën, sepse, siç tha, janë plotësuar të gjitha kushtet.

“PSP-ja e komprometuar është punë e kryer, ndërsa hapi i parë duhet të jetë paraburgim për Katica Janevën dhe gjithë të tjerët të përfshirë në oktapodin kriminalistik. Janë përmbushur të gjitha kushtet. Mundësi për përsëritje të veprës, pasi që Janeva edhe sot është njeriu i parë i PSP-së së korruptuar, ekziston mundësi për arratisje dhe për ndikim ndaj dëshmitarëve. E tërë kjo është vetëm një alibi i dobët dhe i zbehtë”, konsideron Mickoski. (koha.mk)