Tashmë menaxhuesit e pishinave të hapura pohojnë se kanë punuar në bazë të rregullores për klubet sportive por më pas janë detyruar që te ndalojnë punën ngase enkas për ata nuk ka protokoll
Urim HASIPI
Tetovë, 7 korrik – Ende nuk ka vendim për punë për pishinat e hapura gjatë kësaj kohe. Ndonëse për plazhet në Ohër dhe Strugë nuk ka ndalesa, pronarët e pishinave ankohen se pësojnë humbje ngase kohëzgjatja e sezonit është shumë e shkurtër. Pronari i pishinës Aqua Park shprehet se kanë vetëm një propozim protokoll por rregullat nuk janë të njëjta me plazhet në Ohër dhe Strugë. “Matja e temperaturës në hyrje në mënyrë digjitale. Numri i kufizuar i vizituesve edhe atë dy persona në 2 metra katrorë, dezinfektim i shezloneve, klorimi i ujit në dozë më të lartë edhe atë minimum për qind. Këto janë rregullat për pishinat”, thotë Zeqir Idrizi pronar i pishinës Aqua Park në Tetovë.
Ai shprehet se këto rregulla nuk vlejnë për plazhet. “Këto rregulla nuk praktikohen në Liqenin e Ohrit, përveç dezinfektimit të shezloneve. Ne jemi të gatshëm t’i praktikojmë, por përsëri punohet padrejtësisht, ku në Ohër lejohet për të gjithë kurse pishinat mund të punojnë me klube sportive. Deri kur duhet të presim që Qeveria të miratojë protokollet detajisht për pishinat? Apo ndoshta kur të kalojë sezoni veror”, thotë ai.
Po ashtu edhe nga pishina Kopenhagen në Sllatinë pohojnë se tashmë është vënë në rrezik ky sezon ngase mospasja e një vendimi ka bërë që të mos punohet në këto ditë, kur kushtet klimatike janë në favor të tyre. “Nuk është në rregull që të mos ketë vendim për punë. Tashmë nëse urgjent nuk kemi ndonjë hap konkret nga Qeveria, atëherë ky sezon do të jetë i dështuar për ne. Jemi të gatshëm që të pranojmë të gjitha rregullat për punë që do vendosen për pishinat, por vetëm të sillet vendim, sepse kemi të angazhuar edhe punëtorë dhe duhet që të sigurohen rrogat, prandaj edhe kërkesa jonë është urgjente për sjelljen e një rregullore për punë për pishinat”, thotë Sherif Xheladini, pronar i pishinës Kopenhagen në Sllatinë.
Nga Qeveria ende nuk kanë dhënë përgjigje se kur do të ketë rregullore për punë për pishinat. Aktualisht Qeveria ka një rregullore vetëm për klubet sportive për not. Tashmë menaxhuesit e pishinave të hapura pohojnë se kanë punuar në bazë të rregullores për klubet sportive por më pas janë detyruar që te ndalojnë punën ngase enkas për ata nuk ka protokoll. Ata janë të detyruar që t’i kthejnë mysafirët, ndërsa shpresa ka mbetur të një vendim më i shpejtë. (koha.mk)