Urim HASIPI
Tetovë, 1 mars – Është mbajtur seanca e 46 e Këshillit të Komunës së Tetovës, ku pikat e rendit të ditës janë miratuar pa ndonjë debat dhe kritika mes këshilltarëve, shkruan gazeta KOHA. Sipas kryetarit të Këshillit të Komunës së Tetovës, Hisen Xhemaili, procesi i legalizimit të objekteve pa leje ndërtimi duhet të prolongohet. “Konsideroj se ky proces ecën me ritmet e duhura, mirëpo bazuar edhe në kërkesat e qytetarëve, mendoj që duhet të shtyhet edhe pak ky proces i kompletimit të dokumenteve, e cila është e lidhur edhe me funksionimin e Parlamentit. Edhe komunat edhe kadastra kanë kërkuar që të jepet një afat shtesë për kompletimin e dokumenteve”, tha Xhemaili. Sipas tij, gjatë këtij procesi ka pasur shumë probleme me kompletimin e lëndëve.
“Procesi i legalizimeve është një proces kompleks. Shpesh herë komuna është ballafaquar me probleme të ndryshme, për sa i takon komunikimit me qytetarët për plotësimin e dokumenteve që duhet t`i bëjnë ata me qëllim që një lëndë të jetë e kompletuar, pra dhënia e elaborateve gjeodezike, matjet në teren, fotografimi që duhet të bëhet nga ana e përfaqësuesve të komunës dhe një sërë problemesh tjera që një lëndë të jetë e kompletuar për vendim të kryetarja e komunës dhe disa lëndë edhe në këshillin e komunës”, sqaroi Xhemaili.
Në këtë seancë po ashtu është miratuar edhe raporti i punës së këshillit të komunës për vitin e kaluar. Sipas Xhemailit, Këshilli i Komunës së Tetovës gjatë vitit 2016 j ka mbajtur gjithsej 13 mbledhje, prej të cilave 12 janë mbledhje të rregullta, një mbledhje solemne, për nderë të Ditës së Komunës – 3 Marsi. Ai tha se gjatë kësaj periudhe janë miratuar 284 vendime, 350 aktvendime për legalizime të objekteve, 12 plane detale urbanistike, 41 programe dhe një sërë aktesh të tjera nga fushëveprimi i këshillit.
“Një kontribut të veçantë në punën e Këshillit kanë dhënë edhe komisionet e këshillit, ku të gjitha propozim materialet paraprakisht janë shqyrtuar në mbledhjet e komisioneve, ku janë miratuar përfundime të cilat më pas i janë dorëzuar këshillit të komunës si organ vendimmarrës për miratim” tha Hisen Xhemaili, kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës. Po ashtu, ai tha se në këtë periudhë janë realizuar të gjitha planifikimet që ishin bërë. “Në fokusin e veprimit të Këshillit, janë shqyrtuar edhe çështje të ndryshme në fushën e arsimit, kulturës dhe sportit, me qëllim të krijimit të kushte sa më të volitshme për punën dhe për ngritjen e nivelit të cilësisë së arsimit në shkolla dhe në fusha të tjera të veprimtarive shoqërore. Këshilli komunal një rëndësi të veçantë i ka kushtuar edhe transparencës së punës, duke qenë i hapur për bashkëpunim dhe komunikim me qytetarët dhe mediat lokale të shkruara dhe ato elektronike dhe duke ju mundësuar edhe qytetarëve dhe palëve të interesuara që ta ndjekin punën e këshillit. Në bazë të bilancit të punëve të realizuara, brenda 12 muajve të vitit 2016, mund të konstatojmë se e gjithë ajo që ishte e planifikuar për punën me programin e këshillit të komunës është realizuar në tërësi”, theksoi kreu i Këshillit të Komunës së Tetovës.
Në ndërkohë, një problem që është shfaqur vitin e kaluar ka qenë bojkotimi i seancave nga ana e këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së. Xhemaili thotë se shumë shpesh ata nuk kanë votuar për çështje me rëndësi, edhe pse kanë qenë në koalicion. Sipas tij, ky bojkot më shumë ka qenë për qëllimet të politikës ditore në nivel lokal.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.