Shkup, 13 shkurt – Kryetari i Gjykatës Supreme, Jovo Vangelovski dhe kryetarët e të gjitha gjykatave në Republikën e Maqedonisë së Veriut e kanë pranuar propozimin për marrëveshje për përmirësimin kompleks të statusit të gjyqtarëve në shtet, potencojnë në Gjykatën supreme.
Në takimin, që është mbajtur dje, kanë marrë pjesë edhe kryetari i Këshillit të Buxhetit Gjyqësor, Zoran Karaxhovski dhe kryetari i Shoqatës së Gjyqtarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Xhemali Saiti.
Në takimin, siç potencoi Gjykata Supreme, është biseduar për gjendjen me pagesën e shtesave të pagave, kontestet e filluara gjyqësore dhe janë shqyrtuar alternativat e mundshme për përmirësimin e statusit të gjyqtarëve në Republikë.
Kryetari i Gjykatës Supreme në Republikën e Maqedonisë së Veriut, kryetari i Këshillit të Buxhetit Gjyqësor dhe kryetari i Shoqatës së Gjyqtarve të Republikës së Maqedonisë sl Veriut, e kanë prezentuar pakon e masave të ofruara nga kryeministri Zoran Zaev, për zgjidhjen e problemeve për pagesën e shtesave të pagave, mirëpo edhe për statusin e përgjithshëm material të gjyqtarëve.
“Më pas janë prezantuar qëndrimet e të gjithë gjyqtarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të shprehura në kolegjiumet e mbajtura në çdo gjykatë veçmas. Nga qëndrimet e prezentuara doli se shumica e gjyqtarëve pajtohen se duhet të vazhdojë procesi i negociatave me pranimin e ofertës për përmirësimin e statusit të gjyqtarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Si rezultat i gjendjes së konstatuar është marrë vendim se pranohet propozim kompromisi i marrëveshjes për përmisimin kompleks të statusit të gjyqtarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në kumtesën e Gjykatës Supreme. (koha.mk)