Urim HASIPI
Tetovë, 12 shkurt – Rritja e numrit të vdekshmërisë së foshnjave në Klinikat e Shkupit ka bërë që Ministria e Shëndetësisë tashmë të mendojë për përmirësimin e kushteve nëpër klinikat në qytetet më të mëdha, që ajo e Shkupit të mos jetë e stërngarkuar me pacientë, shkruan gazeta KOHA. Edhe pse vdekshmëria e foshnjave në Shkup është në nivel të lartë, megjithatë në Spitalin Klinik të Tetovës – në repartin e Gjinekologjisë thonë se numri i vdekshmërisë është shumë i ulët. Kryeshefi i këtij reparti, Nagip Rufati, thotë se që pacientët të mos shkojnë në Shkup, duhet që të bëhen ende shumë investime në aparaturë, por edhe të investohet në kuadrin profesional sepse shumë mjek janë para pensionit. Sipas tij, për tre vite ka patur 14 vdekje të foshnjave që është një përqindje e ulët në krahasim me Shkupin.
“Spitali Klinik i Tetovës ka një numër të konsiderueshëm të lindjeve dhe numër të vogël të vdekshmërisë së foshnjave. Ne kemi rezultate të mira, mirëpo duke filluar në të gjitha rastet që janë nën javën e katërt (gestagene), dërgohen në Spitalin Klinik të Shkupit për arsye të protokolleve dhe në interes të foshnjave të posalindura. Në Spitalin Klinik të Tetovës, konkretisht në Repartin e Gjinekologjisë dhe Akusherisë për tre vitet e fundit vdekshmëria e foshnjave sillet jo në përqindje, por në promila. Në vitin 2015 ka patur vetëm katër foshnja të vdekura, ndërsa në vitin 2016 kanë vdekur 6 foshnja”, thotë për KOHA kryeshefi Rufati. Ai ka folur edhe për pacientët që kërkojnë shërbime mjekësore në Shkup. Sipas tij, kjo është për shkak se sistemi shëndetësor e lejon një gjë të tillë.
“Nuk është e vërtetë se ne i dërgojmë pacientët në Shkup, sistemi shëndetësor është reformuar disa herë dhe nga reformimet që kanë dalë, shihet se ka shumë mangësi, sepse të gjithë pacientët i udhëheq gjinekologu amë dhe ne në komunën tonë kemi numër të vogël të mjekëve amë, të cilët udhëheqin gra joshtatzëna dhe ato shtatzëna. Ky numër i vogël i mjekëve amë gjinekolog nuk mund të menaxhojnë me një numër të madh të pacientëve prej 6 mijë deri në 10 mijë. Pacientët me këtë rast, vetvetiu sistemi shëndetësor, u ka lejuar pacientëve të drejtohen në Klinikat e Shkupit, apo me udhëzim të mjekëve amë, edhe pse kapacitetet tona për pacientët e qytetit tonë janë që të gjitha gratë të mund të lindin, të kryhen operacione apo të marrin të gjitha shërbimet mjekësore në repartin tonë”, thotë ai. Sipas tij, vend për përmirësim çdoherë ka sa i përket kushteve në këtë repart dhe duhet që Ministria e Shëndetësisë të përgjigjet në kërkesat e tyre si me aparaturë, por edhe me kuadër.
“Ne kemi nevojë shumë për përmirësim të kushteve, kemi bërë disa kërkesa në drejtorinë e Spitalit, e cila më pas i ka adresuar në Ministrinë e Shëndetësisë. Deri më tash janë bërë pak përmirësime, por kemi nevojë për disa aparatura të sofistikuara, të shumëpërfolura disa herë nga Ministria e Shëndetësisë e të cilët ende nuk janë realizuar. Po ashtu kemi nevojë për numër të madh të mjekëve specialist gjinekolog akusher dhe pediatër për këtë repart. Kemi bërë kërkesa për rritjen e numrit të kuadrit, por nuk kemi përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë, sepse kemi një numër të madh të kolegëve që janë para pensionit dhe këto kuadro duhet që të zëvendësohen”, deklaroi Rufati. Përndryshe, arsyetimi i Ministrisë së Shëndetësisë për vdekshmërinë e foshnjave në Shkup ishte se atje ka stërngarkim të pacientëve dhe numri i lindjeve në vit është rreth 6000, ndërsa kapacitetet janë për maksimum 4 mijë lindje. (koha.mk)