Nga Lirim DULLOVI
Mungesa e kapaciteteve profesionale e etike në sistemin e drejtësisë në Maqedoni, do të mundej të tejkalohej vetëm me kusht që komplet institucionet e gjyqësisë e prokurorisë të kalojnë në menaxhim ndërkombëtar, që ndryshe i bie dhënie me koncesion Bashkimit Evropian. Në një periudhë që do të caktohej paraprakisht, koncesioneri i drejtësisë, do të mundohej t’i bëjë reformat e duhura në drejtim të sundimit të ligjit dhe të përgjithësisht të drejtës në gjithë territorin e vendit.
Se drejtësia aktuale dhe ajo e kaluar ka funkcionuar në mënyrë selektive edhe në baza etnike, e vërtetoi së fundmi rasti i Sopotit. Kjo praktikë do të konstatohet së shpejti edhe me rastin tjetër – Monstra, ndërkohë që mbeten për t’u hapur edhe disa raste të tjera, për të cilat opinioni tash më ka ngritur dyshimet e veta. Ky sistem, ku janë të përfshirë hetues, ekspertë të ndryshëm, pjesëtarë të policisë sekrete e publike, prokurorë, gjykatës dhe politikanë, funksionon edhe sot e kësaj dite. Këtë e vërteton rasti i fundit me rikualifikimin e veprës në vrasjen e Almir Aliut.
S’do mend se ky sistem vazhdon të prodhojë irritim, edhe përkundër kritikave të mediave dhe pakënaqësive publike të shprehura nëpër protesta. Ç’të thuash për këtë sistem (pa)drejtësisë, i cili është imun edhe ndaj vërejtjeve të faktorëve ndërkombëtarë, por edhe mosreflektues ndaj distancimit të kolegëve prokurorë shqiptarë, të cilët me veprimin e fundit në Prokurorinë Shtetërore, e shpërfaqën botërisht qëndrimin e tyre se vendime të ngjashme skandaloze në të ardhmen nuk do ta kenë edhe legjitimitetin e tyre. Shembullin e tyre, madje duhet ta ndjekin edhe gjithë bartësit e funksioneve publike e shtetërore, të cilët në asnjë mënyrë nuk duhet të lejojnë që pjesëmarrja e tyre nëpër institucione të shërbejë si indigo për reprodukimin e vendimeve arbitrare kundër shqiptarëve. Në rrethana normale, ky standard do të duhej të ngritet nga politika, gjegjësisht nga ministri i Drejtësisë, si njeriu kryesor që duhet të iniciojë reformat e këtij sistemi të qelbur dhe që ka humbur plotësisht besimin e qytetarëve. Për fat të keq kjo nuk po ndodhë, edhe pas precedentit pozitiv me reagimin dhe distancimin e katër prokurorëve shqiptarë.
Alternativa mbetet në prishjen e tërësishme të këtij sistemi dhe fillimin e ndërtimit nga e para, ose, kalimi i gjithë kompetencave për reformimin e drejtësisë nga autoritetet vendore, në ato me relevancë ndërkombëtare. Edhe pse bashkëvendësit tanë maqedonas kanë aversion ndaj ideve për protektorat, duhet ta pranojmë faktin se ne rastin konkret mungojnë kapacitetet vendore për të kthyer kredibilitetin e humbur të njerëzve në sistemin e drejtësisë. Se protektorati ka edhe anët e veta pozitive, do ta marrim si shembull përvojën e Kosovës në disa segmente, siç ishte rasti me policinë, Doganat dhe Drejtorinë Tatimore, ku që nga themelimi i tyre, aty u përfshinë ndërkombëtarët, të cilët edhe sot vëzhgojnë nga afër zhvillimet dhe politikat në këto institucione. E njëjta situatë ishte edhe me Agjencinë Kosovare për Akreditim, që kishte edhe përfaqësues ndërkombëtar, deri në momentin kur me vendim politik u shkarkuan anëtarët e saj. Si pasojë, sot Kosova është përjashtuar nga Komiteti i Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).
PA DREJTËSI – S’KA KA QETËSI (NEMA PRAVDA – NEMA MIR), ishte një nga motot e Revolucionit Laraman. Nëse politika vendore s’ka ide dhe vullnet për ndryshimin e kësaj situate, atëherë do të duhej t’i hapte rrugë ideve për dhënien e tërë sistemit të drejtësisë me koncesion. Në të kundërtën, ky sistem do të vazhdojë të mbrojë edhe në të ardhmen krimin dhe korrupsionin e zyrtarëve të ndryshëm të shtetit, si dhe do të shndërrohej në gjeneratori krize me përmasa ndëretnike, si uverturë e një destabilzimi më të madh të vendit dhe rajonit. (koha.mk)