Tetovë, 12 prill- Ajo kishte ardhur nga Kosova në Tetovë për të studiuar në fakultetin e Mjekësisë. Nora Nikqi, 20 vjeçare nga Peja, studente e vitit të dytë në fakultetin e shkencave të mjekësisë Dega Stomatologji në Universitetin e Tetovës, e cila më 9 mars në orët e pasdites kishte pësuar një aksident trafiku në rrugën Industriale në Tetovë së bashku me shoqen e saj. Që atëherë e këndej, respektivisht nesër mbushen pesë javë që ajo është në Spitalin Klinik “Nëna Terezë” në Shkup, në gjendje të rëndë shëndetësore. Ajo ende është në gjendja kome. Mjekët kanë dhënë shpresa se gjendja e saj do të përmirësohet por nevojitet kohë. Familja krahas dhimbjes që ka për gjendjen shëndetësore të saj, po ashtu kurimi në klinikat e Shkupit u kushton shumë dhe pothuajse u janë shterur mundësitë financiare për të përballuar harxhimet. Sipas studentëve një natë qëndrimi në Klinikën e Shkupit për studenten nga Kosova kushton prej 500 deri në 1000 mijë euro, ngase është qytetare e një shteti tjetër.“Familja e saj nuk mundet që të përballojë këtë situatë sepse kushton shumë. Një natë kushton minimum 500 euro e më lartë, sepse nuk kemi sigurim dhe nuk jemi shtetas të Maqedonisë. Ajo për momentin nuk mund të transferohet në Spitalet e Kosovës dhe tashmë që pesë javë është në këtë gjendje të palëvizshme”, thotë Driolinda Iberhysaj studente nga Kosova. Sipas saj, gjendja e shoqes së saj vjen duke u përmirësuar por ka nevojë ende për kurim.”Sipas mjekëve gjendja është duke u përmirësuar nga dita në ditë, por ende duhet që të qëndrojë derisa të bëhet transferimi më i sigurt për në Kosovë. Ne apelojmë për ndihmë sepse familja e Norës nuk mundet që të mbulojë të gjitha këta harxhime për mjekimin e saj në vazhdimësi”, u shpreh ajo. Përndryshe, Nora se bashku me shoqen e saj ishin duke udhëtuar me autot axi në Tetovë në rrugën Industriale. Pasi që vetura kishte pasur defekt dhe ishte përfshirë nga zjarri dy studentet nga Kosova kishin dalur me shpejtësi nga vetura dhe njëra prej tyre ishte goditur nga një veturë tjetër. Në ndërkohë aksioni ka filluar ditë më parë nëpër disa pika grumbullimi për ndihmë për studenten kosovare. Aksioni për grumbullimin e ndihmave për studenten nga Peja do të vazhdojë në Prima Centar dhe në hapësirat e Spitalit Klinik të Tetovës, gjegjësisht në repartin e kirurgjisë dhe internistik. Numri i zhillogarisë është :20-31-0000482093-08.