Shkup, 30 gusht – Mbrojtja e të akuzuarve në lëndën “TNT” në seancën e sotme kërkoi anulimin e debatit kryesor deri në zbardhjen e plotë të gjendjes me prokuroren speciale publike Katica Janeva e cila është në paraburgim për rastin “Zhvatja”.
Avokati Donço Nakov, para fillimit të seancës gjyqësore, tha se prokurori publik Burim Rustemi është dëshmitar në pyetje për rastin “Zhvatja” dhe nuk mund ta përfaqësojë Janevën, e cila është në paraburgim.
“Nëse vazhdoni të punoni sot unë vlerësoj se duhet tu tregoj në procesverbal me qëllim që të dihet një ditë se ju keni lejuar që një prokuror publik i cili është dëshmitar i marrë në pyetje në rast për të cilin prokurorja të cilën ai e përfaqëson gjendet në paraburgim. Nuk mundet ky prokuror të veprojë për momentin si përfaqësues i autorizuar i Katica Janevës për shkak të ekzistimit të vendimit të plotfuqishëm gjyqësor”, theksoi Nakov.
Prokurori publik Burim Rustemi, theksoi se vlerëson se deri sa nuk është ndërprerë zyrtarisht mandati i PSP-së Katica Janeva ata kanë të drejtë që t’i përfaqësojnë lëndët.
“Vendimi eventual i gjykatës dhe secili vendim tjetër, përfshirë edhe vendimin për paraburgim nuk është relevant derisa nuk ka vendim të Këshillit për Prokurorë Publikë për të ndaluar mandatin e PSP-së Katica Janeva”, tha Rustemi.
Theksoi se sipas dispozitave ligjore të Ligjit për prokurori publike, prokuroria publike republikane nuk ka të drejtë që të vendosë për PSP-në, ndërsa me qëllim siç tha ruajtjen e autonomisë së PSP-së.
“Vlerësoj se gjykata duhet ta pranojë letrën nga PP e RMV-së si fakt se nuk ka institucion sipas Ligjeve të theksuara të vendosë dhe sipas kësaj të vazhdojë me procedurën”, deklaroi Rustemi.
Gjykatësi Stavrev, para se të japë pauzë që të shqyrtohet kërkesa e mbrojtjes, informoi se nuk ka marrë përgjigje për kërkesën e të dyshuarit Toni Trajkovski, e dërguar deri te prokurori shtetëror publik, por se vetëm ka marrë letër nga prokurori publik Anita Topolova Isajllovska.
“Në lidhje me kërkesën tuaj për dhënien e mendimit për shkarkimin e Katica Janevës. PP e RMV-së nuk është përgjegjëse që të veprojë për kërkesën tuaj dhe PSP-ja nuk është pjesë e hierarkisë dhe për punën e saj vetëm përgjigjet para Kuvendit dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë”, thuhet në letër, informon gjykatësi Stavrev.
Procesi gjyqësor për rastin “TNT” gjegjësisht rrënimin e kompleksit “Kosmos” të biznesmenit Fiat Canovski gjendet në procedurë të dëshmisë. Për këtë vepër janë të akuzuar disa persona në mesin e të cilëve edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakievski, si dhe ish kryetari i komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovski, përderisa në mungesë gjykohet edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski.