Urim HASIPI
Tetovë, 25 mars – Që nga reshjet e fundit, rruga për në Banjën e Tetovës vazhdon të jetë e papastruar në disa vende nga rrëshqitja e dheut. Në shumë vende, ku dheu ka rrëshqitur – qarkullimi zhvillohet në një korsi, shkruan gazeta KOHA. Problemet e këtilla janë shfaqur që nga viti 2015 nga vërshimet katastrofale dhe gjithmonë në periudhën e vjeshtës, por edhe në pranverën e hershme, ka rrëshqitje dhe erozioni të dheut edhe në këtë pjesë të Tetovës.
Ndonëse në disa vende janë vendosur mure mbrojtëse, megjithatë kjo nuk ka penguar që një pjesë e rrugës të jetë ende e mbuluar me gurrëz. Gjendje e këtillë është në shumë vende në këtë aks rrugor deri në Banjën e Tetovës. Një situatë e këtillë është shkaktuar gjatë reshjeve natën e 4 shkurtit të këtij viti kur edhe kjo rrugë ishte bllokuar dhe një ditë më pas ishte intervenuar që të zhbllokohet e njejta. Por që nga atëherë e këndej, përgjatë rrugës ka ende shkëmbinj që pamundësojnë qarkullimin e lirë në të dy korsitë e kësaj rruge, e cila në një periudhë të shkurtër – është asfaltuar dy herë.
Kjo rrugë çdo herë pas të reshurave të shiut shkakton erozionin e dheut dhe bllokohet rruga pjesërisht. Ajo që është më problematike në këtë pjesë të Tetovës, janë edhe gurët e mëdhenj që kohë pas kohe rrëshqasin po në këtë rrugë. Kjo edhe ka bërë që banorët të ndjehen në rrezik. Po, ashtu në këtë pjesë që është përgjatë rrjedhës së Lumit Shkumbin për në Banjat e Tetovës akoma nuk ka filluar rikostruimi i digave që janë dëmtuar gjatë vërshimeve të vitit 2015 në këtë pjesë. Krahas banorëve që jetojnë afër kësaj rruge e që njihet edhe si Teqja e Shipkovicës, po ashtu më herët Banjat e Tetovës janë shfrytezuar edhe për rekreacion, ndërsa tashmë dy vite shumë pak qytetarë drejtohen në këtë pjesë.
Krahas dëmit që është shkaktuar në shtratin e lumit Shkumbin në pjesën e lartë të qytetit, është dëmtuar edhe një pjesë rruga që çon për në Banjat e Tetovës e cila nuk ka dy vite që ishte rregulluar dhe asfaltuar, pasi u dëmtua gjatë kohës së vërshimeve në pjesën më të madhe të saj. Përveç dëmtimit, e njëjta në shumë vende edhe është dëmtuar nga erozioni dhe vështirë është e kalueshme.
Banorët kohë më parë kanë apeluar që të merren masa, por përveç murit që është ndërtuar, nuk është bërë asgjë në mënyrë preventive për të parandaluar shembjen e dheut. Së këndejmi, për shkak të kësaj neglizhence – në periudhën e vjeshtës dhe në pranverë ka shumë probleme në këtë rrugë dhe banorët janë gjithnjë të kujdesshëm kur qarkullojnë në këtë rrugë. Ata druajnë se mund të ndodh një tragjedi më e madhe sepse rruga frekuentohet edhe nga këmbësorët. Krahas ditës, në Banjat e Tetovës, që është larg jo më shumë se pesë kilometra nga qendra e Tetovës, vizitohet edhe gjatë orëve të natës.
Mirëpo, kohëve të fundit janë të paktë ata të cilët vizitojnë natën këtë vend për shkak të mungesës së ndriçimit publik. Edhe pse më herët ishte premtuar se ky vend do të rregullohet dhe urbanizohet, megjithatë në këtë drejtim nuk është bërë asgjë. (koha.mk)