Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar (3 dhjetor), u vendos me Rezolutën 47/3 në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Qëllimi i kësaj dite është promovimi i të drejtave, mirëqenies, si dhe rritja e ndërgjegjësimit lidhur me situatën e personave me aftësi të kufizuar në të gjitha sferat e shoqërisë dhe aspektet e zhvillimit – jetës politike, sociale, ekonomike dhe kulturore.
Llausha ZENUNI
Shkup, 3 dhjetor – Dita Ndërkombëtare e personave me aftësi të aufizuar (3 dhjetor), u vendos me Rezolutën 47/3 në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Qëllimi i kësaj dite është promovimi i të drejtave, mirëqenies, si dhe rritja e ndërgjegjësimit lidhur me situatën e personave me aftësi të kufizuar në të gjitha sferat e shoqërisë dhe aspektet e zhvillimit – jetës politike, sociale, ekonomike dhe kulturore.
Dita Ndërkombëtare e personave me aftësi të kufizuara shënohet çdo vit në 3 dhjetor dhe ka për qëllim promovimin e një pjesëmarrjeje të plotë dhe të barabartë të personave me aftësi të kufizuara dhe ndërmarrjen e aktiviteteve për përfshirjen e këtyre personave në të gjitha aspektet e shoqërisë.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë më shumë se një miliardë njerëz ose rreth- rreth 15% e popullsisë së botës – jetojnë me ndonjë formë të kufizimit të aftësive të tyre. Kjo shifër pritet të rritet me plakjen e popullatës dhe përhapjen e sëmundjeve joinfektive. Personat me aftësi të kufizuara nuk i kanë përparësitë që i kanë të gjithë të tjerët, por kjo nuk do të thotë se kështu është për të gjithë. Një gjë e tillë varet shumë nga konteksti në të cilin ata jetojnë dhe nëse, ndër të tjera, kanë qasje të barabartë në shëndetësi, arsim dhe punësim.
Në Shkup, kjo ditë u shënua dje me një panel diskutimi me temë “Zgjidhje transformuese për zhvillim gjithëpërfshirës”, të organizuar nga Shoqata për fëmijë me nevoja të veçanta “Dua ylberin”, me folës profesionistë nga fusha e logopedisë, psikologjisë dhe defektologjisë, Boletin Zenuni- Edukator Special dhe Rehabilitues, Lindita Mustafa- Psikologe dhe Mevlude Thaçi- Punëtore sociale. Në tribunë u diskutua për përfshirjen e personave me nevoja të veçanta në shoqëri, largimin e “syrit” diskriminues ndaj tyre dhe zërin e tyre nëpër institucione shtetërore.
Drejtoresha e kësaj shoqate, Edlira Destani, theksoi se hapat me të cilët ecën shteti jonë drejt përmirësimit të kushteve jetësore, ekonomike, arsimore dhe sociale të këtyre personave, janë të ngadalta, “Lëvizjet që po bëhen nga institucionet janë të tilla që nuk po shkojnë në mënyre adekuate deri tek personat me nevoja të veçanta, përshembull, në qoftë se për të ndodhur ndryshimet përmirësuese do të duhet të kalojë periudhë e gjatë kohore, kjo do të thotë që një numër shumë i madh i fëmijëve me nevoja të veçanta ose familjarëve të tyre do të jenë në gjendje të njejtë, larg përmirësimit. Bëhet fjalë për arsim, mungesën e asistentëve arsimorë apo më e nevojshmja, e cila është hapja e paraleleve speciale shqipe në shkolla të mesme”, tha ajo.
Edhe Emsha Ferati, nëna e Artinit i cili është autik, u shpreh e revoltuar me mospërfilljen e institucioneve ndaj tyre. Ajo tha se shumë familjarë të tillë kanë kërkuar që të hapet një paralele shqipe në shkollën e mesme speciale “Naum Ohridski” por kërkesat e tyre kanë mbetur gjithnmonë në sirtar, “Artini është viti i parë në shkollën speciale “Naum Ohridski” por mësimin e ndjek në gjuhë maqedone sepse nuk ka kuadër shqiptarë. Kemi bërë kërkesë për hapjen e një paralele shqipe por na kanë thënë që Ministria e Arsimit nuk po hap konkurse për arsimtarë shqiptarë”, tha Emsha Ferati.
Në këtë Maqedoni janë të regjistruar rreth 15 mijë persona me nevoja të veçanta, që marrin ndihmë financiare nga shteti në vlerë mes 6.000 dhe 11.000 denarësh (100 deri 180 euro).