Kjo, para se gjithash, ju referohet atyre të cilët janë të angazhuar me punë në fushë, deri tek të cilët apelohet që të mos ndezin zjarre, për shkak se flakët shumë shpejtë dhe lehtë mund të përhapen sidomos kur ka edhe erë
Urim HASIPI
Tetovë, 10 prill – Temperaturat e larta që mbizotërojnë ditëve të fundit në vendin tonë kanë shtuar mundësitë për shpërthim të zjarreve nëpër hapësira bujqësore por edhe në pyje. Së këndejmi, Sektori për punë të brendshme në Tetovë, në mënyrë preventive apelon deri tek qytetarët që të sillen me kujdes, sidomos kur lëvizin në fushë apo pyje që të mos ndezin zjarre dhe të mos hedhin cigare të ndezur ngase zjarri mund të përhapet shumë shpejt. Krahas kësaj, bujqit tetovar rikujtohen që në kohë të kontrollojnë rregullshmërinë e makinerisë bujqësore, sepse disa mangësi serioze të këtyre makinave mund të jenë shkaktar të zjarreve. Kjo veçanërisht ka të bëj me bujqit, të cilët intenzivisht përgatiten për mbjellat pranverore, me ç’rast i pastrojnë dhe djegin mbetjet dhe barishtet e thata nëpër ara, kurse zjarret që nuk kontrollohen, shumë shpejtë përhapen, veçanërisht kur koha është me erë. Po ashtu, apeli vjen në një kohë kur bujqve në këtë gjendje të jashtëzakonshme me koronavirusin, do t`ju lejohet që të kryejnë punët e tyre nëpër pronat bujqësore, prandaj edhe kërkohet më shumë kujdes.
Nga ana tjetër, nga njësia territoriale kundër zjarrit apelojnë që jo vetëm qytetarët e Tetovës, por edhe qytetarët e pesë komunave tjera rurale të jenë shumë të kujdesshëm me kontrollet e aparateve shtëpiake dhe makinave, por edhe gjatë lëvizjes në natyrë, sidomos gjatë përdorimin të zjarrit në vende të hapura. “Do të kisha apeluar tek të gjithë qytetarët e Tetovës dhe të 5 komunave të tjera rurale, siç janë Tearcë, Jegunocë, Bogovinë, Zhelinë dhe Bërvenicë, që të jenë më të kujdesshëm, sidomos kur kryejnë punë nëpër vende të hapura, sepse një shkëndijë e vogël mund të shkaktojë një katastrofë shumë të madhe. Qytetarët të mos ndezin zjarre në pyje, dhe në vende tjera për piknik të cilët janë të rregulluara me ligj. Të mos hidhen mbetje të cigareve, mbetje prej plastike, letra përskaj rrugëve. Të mos digjet kashta në hapësira bujqësore, të rregullohet me kohë makineria bujqësore që të mos rrjedhë lëndë djegëse dhe vaj nga motori të cilët nga temperaturat e larta shumë lehtë mund të ndizen”, thotë udhëheqësi i Njësisë së zjarrfikësve të Tetovës, Uka Aliti.
Ndërkaq, Sektori për punë të brendshme në Tetovë apelon deri tek qytetarët që të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm kur punojnë ose lëvizin në hapësira të hapura. Kjo, para se gjithash ju referohet atyre të cilët janë të angazhuar me punë në fushë, deri tek të cilët apelohet që të mos ndezin zjarre, për shkak se flakët shumë shpejtë dhe lehtë mund të përhapen sidomos kur ka edhe erë. “Sektori për punë të brendshme në Tetovë rikujton qytetarët se ndezja e qëllimshme e zjarreve në mal paraqet vepër penale, për të cilën është e paraparë dënim me burg nga 8 deri në 10 vjet varësisht vendit, madhësisë, dhe pasojave përfundimtare”, thonë nga policia e Tetovës. Nga Njësia e zjarrfikësve edhe njëherë apelojnë deri tek qytetarët që tani në muajt e verës ku kemi temperature shumë të larta të tregohen të kujdesshëm dhe të mos ndezin zjarre të qëllimshme. (koha.mk)