Laura PAPRANIKU
Shkup, 26 shkurt – Unioni i Nxënësve Shqiptarë të Shkollave të Mesme të Maqedonisë, nuk tërhiqet nga kërkesa për largimin e tërësishëm të vlerësimit ekstern, shkruan gazeta KOHA. Përfaqësues të Unionit i kanë kërkuar sërish ministrit Pishtar Lutfiu largimin e eksternes, gjatë takimit që realizuan me të ditën e premte, ndërsa kanë përsëritur qëndrimin se në rast të mos largimit të testimit ekstern, do të ketë protesta dhe bojkotim të testimit nga ana e nxënësve. Majlinda Çilafi, kryetare e UNSHSHM-së, thotë për KOHA se pavarësisht momentit dhe ndryshimeve që do të pësojë, nuk do të lëvizin nga kërkesat e tyre. Përveç eksetrnes, ata kanë edhe kërkesa të tjera, të cilat Çilafi thotë se nuk do të ngurrojnë t’ia parashtrojë cilido ministër që të jetë në krye të institucionit më të lartë arsimor. Sakaq, duke iu referuar takimit me Lutfiun, përfaqësuesit e UNSHSHM-së shprehen të kënaqur edhe për faktin se nuk u refuzua kërkesa e tyre që të takohen me ministrin e Arsim. Ky i fundit, sikurse tregon Çilafi ka premtuar mbështetje logjistike dhe financiare për projektin “Një hap drejt përmirësimit të cilësisë” që UNSHSHM-ja vetëm se ka nis ta realizojë. Deri tani kanë pasur takime me drejtorë të shkollave në Kumanovë dhe Gostivar, ndërsa do të vijohet në qytete tjetra ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe.
Sipas kryetares Çilafi, Lutfiu ka premtuar se në të gjitha takimet do të dërgohen përfaqësues të MASH-it dhe sipas mundësisë do të sigurohet dhe mbështetje financiare. “Kërkesat tona kryesore janë përmirësimi i gjendjes në arsimin e mesëm, duke nis nga kushtet e objekteve, numri i nxënësve nëpër paralele e deri te statusi juridik i shkollave” pohon Çilafi. Kërkojmë gjithashtu të largohen librat të cilat kanë përmbajtje fyese dhe të cilat kanë gabime të rënda, thotë ajo, ndërsa nënvizon nevojën e forcimit të karakterit edukativ të shkollës. Për këtë qëllim, UNSHSHM-ja kërkon që në arsimin e mesëm të vihet si lënde e detyrueshme “Edukata dhe Morali”, e cila do të ligjërohet nga psikologë. “Vendosjen e kësaj lënde, nuk e shohim të lidhur me edukatën qytetare apo religjionin që mësohet so lëndë zgjedhore, por thjesht si nevojë që të mësohet më shumë mbi edukatën dhe moralin si vlera të larta nëpër shkolla. Prandaj, kërkojmë që Edukata dhe morali të jetë lëndë e veçantë edhe atë e detyrueshme në shkollat e mesme”, pohon kryetarja e UNSHSH-së. Tema tjera të diskutimit me kimistin e arsimit kanë qenë edhe zgjidhja e çështjeve tatuara të shkollave me mësim në gjuhën shqipe, konkretisht paralelet e mesme në Kumanovë, të cilat edhe pse kanë më tepër nxënës se paralelet maqedonase përsëri janë në varësi të këtyre të fundit. “Përse paralelet shqipe të mos kenë të drejtë pavarësimi dhe emërimi në gjuhën shqipe dhe si ka mundësi që ende ministri lejon që shumë shkolla të mos kenë as kushtet elementare për arsim”, kanë qenë gjithashtu çështje diskutimi, por për të cilat Unioni nuk ka mund të merr garanci nga ministri Lutfiu se do të zgjidhë probleme brenda një afati të caktuar kohor. Për shkak të rrethanave politike, kur nga dita në ditë pritet të formohet Qeveria e re, është e pamundur të sillen vendime për çështje të këtyre natyrave, citohet të ketë thonë ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.