KËRKOHET DEPONI MODERNE. Ndalohet hedhja e mbeturinave në Rusino

27

Komuna e Tetovës disa vite me radhë nuk dërgon mbeturina në këtë deponi, dhe të njëjtat i dërgon në Drislla të Shkupit

Urim HASIPI

Tetovë, 3 gusht – Prej ditës së diel ka filluar bllokada 10 ditore e rrugës për në deponinë Rusino. Nga Lëvizja qytetare “Stop Rusino, ajër të pastër për Gostivarin”, njoftuan se do të bllokojnë rrugën me automjete për në deponinë Rusino. Nga kjo lëvizje njoftuan se të gjitha automjetet e rënda me mbeturina nuk do të lejohen, kurse automjetet tjera mund të qarkullojnë. Derisa deponia është duke u djegur, bllokada do të jetë në fuqi edhe për kamionët e ndërmarrjes publike “Komunalec” të Gostivarit gjatë dhjetë ditëve të ardhshme. “Qëndrimi ynë është se nuk e duam lokacionin, sepse ai lokacion është krejt me mbeturina. Kërkojmë deponi me të gjitha standardet, me standarde evropiane. Ku do të jetë, neve nuk na intereson. Atje nuk do të ketë deponi, dhe të gjithë le të gjejnë deponi tjetër. Gostivari nuk është vend për mbeturinat e qyteteve tjera”, tha Anastasija Dukovska, nga Lëvizja qytetare “Stop Rusino, ajër të pastër për Gostivarin”.

Nga kjo lëvizje janë të zhgënjyer me institucionet të cilët kanë premtuar dhe nuk kanë bërë asgjë për të shuar zjarrin. Kërkojnë që të vendosen kamera të sigurisë dhe sigurim që të identifikohen ata që shkaktojnë zjarre, ndërsa kërkojnë që Komuna të pastrojë menjëherë këtë vend dhe të njoftojë Qeverinë që të gjendet lokacion tjetër dhe të ndërtohet deponi moderne. Një kërkesë tjetër është që të lejohen kamionët me mbeturina vetëm për Komunën e Gostivarit, atëherë kur do të plotësohen këto kushte. Shpresat se zjarri do të shuhet janë tek Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut, sepse përfaqësues të tyre kanë vizituar këtë lokacion. Në debatin publik të mbajtur ditë më parë, kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, tha se nga dita e hënë do të ndalohet hedhja e mbeturinave për komunat tjera. “Ne kemi sjellë një vendim që të ndalohet hedhja e mbeturinave nga komunat tjera. Kam njoftuar kryetarët e komunave tjera dhe atje është vendosur edhe tabelë që tregon ndalesën. Kjo deponi do të shfrytëzohet vetëm nga Komuna Gostivarit”, tha Taravari.

Ai tha se do të presë që të formohet Qeveria e re dhe më pas do të dilet në referendum ku qytetarët do të vendosin vet a se do të mbyllet. “Ne jemi këtu grup i vogël i qytetarëve, dhe ne si komunë mund të organizojmë edhe një referendum bashkërisht, për të vendosur se a duhet të ekzistoj, të funksionojë Rusino apo nuk duhet. Ne do presim edhe një muaj derisa të formohet Qeveria e re dhe do votojmë të vendosim si gostivaras a duhet të funksionojë Rusino apo s`duhet”, deklaroi Taravari.

Organizatat të cilat morën pjesë në këtë debat shprehen të prera se deponia Rusino duhet të dislokohet. Ata kërkojnë hetim për atë se kush dhe përse ndezë mbeturinat në këtë deponi. “Pikat tona janë shumë të qarta. Të ndërpritet djegia e mbeturinave në Rusino, ku ruhet mbetjet, se nuk është deponi ajo, dhe e dyta është mbyllja e deponisë Rusino. Ne nuk bëjmë dot kompromis me shëndetin, pra kompromis me shëndetin nuk bëhet. Kërkesat janë decide, ne ju rimë pas atyre pikave”, deklaroi Bujar Kreci këshilli nismëtar STOP Rusinos.

Ndryshe, kohëve të fundit në këtë deponi mbeturina kanë hedhur të gjitha komunat e Pollogut, edhe pse nuk i plotëson kushtet për të qenë deponi rajonale. Banorët e kësaj zone disa herë kanë bllokuar rrugën me qëllim që tërësisht të rregullohet deponia por deri më tani nuk është bërë asgjë. Problemi me këtë deponi u aktualizua pasi që kohëve të fundit filluan të digjen mbeturinat. Banorët dhe shoqatat janë që kjo deponi tërësisht të mbyllet sepse paraqet katastrofë ekologjike, kurse qeveria thotë se përmes ambasadës së Zvicrës janë siguruar mjete. Komuna e Tetovës disa vite me radhë nuk dërgon mbeturina në këtë deponi, dhe të njëjtat i dërgon në Drislla të Shkupit. (koha.mk)

Comments are closed.